BE-ja do ta rikthejë misionin në Rafah
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian do ta rikthejë misionin vëzhgues në pikën kufitare mes Gazës dhe Egjiptit.
“Garantimi i paqes në Gazë do të jetë jashtëzakonisht kompleks”, ka deklaruar Kallas përmes një postimi në X – dikur Twitter.
“BE-ja është e gatshme ta bëjë pjesën e vet. Të mërkurën do ta rikthejmë misionin civil për të vëzhguar pikën kufitare mes Gazës dhe Egjiptit”.
Edhe 13 pengje tjera në rrugë për në Izrael
Mediat izraelite janë duke raportuar se grupi i dytë me 13 pengje i është dorëzuar Kryqit të Kuq në jug të Gazës dhe tani të gjithë janë në rrugë për në Izrael.
Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të takohet gjatë ditës me disa familjarë të pengjeve.
Izraeli pritet t’i lirojë të burgosurit palestinezë brenda orësh
Përveç lirimit të pengjeve izraelite, gjatë ditës pritet të lirohen 250 palestinezë të burgosur dhe 1.700 të ndaluar nga Gaza nga autoritetet izraelite, përfshirë 22 fëmijë.
Në raportimet e mediave izraelite përmendet se të burgosurit janë duke u përgatitur që të lirohen nga burgu Ofer në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Emrat e të burgosurve që do të lirohen janë publikuar nga Ministria e Drejtësisë e Izraelit.
Çfarë po ndodh momentalisht?
- Presidenti amerikan, Donald Trump sapo ka arritur në Izrael, ku pritet të flasë para Parlamentit të këtij shteti, para se të udhëtojë drejt Egjiptit, ku është nikoqir i një samiti për paqe në Lindje të Mesme.
- Shtatë prej 20 pengjeve të gjalla izraelite kanë hyrë në tokën izraelite dhe do të marrin trajtim mjekësor si dhe do të bashkohen me familjet e tyre.
- Makina të Kryqit të Kuq kanë arritur në rajonin e Gazës ku Hamasi – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – është duke i liruar pengjet izraelite në grupe.