Irani nuk merr pjesë në samit, pavarësisht ftesës
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në samitin për paqe në Egjipt, pasi refuzon të “angazhohet me homologët” që i sulmojnë njerëzit e Iranit.
Më herët gjatë këtij viti, në qershor, Izraeli pati nisur sulme ndaj objekteve ku ruhen raketat iraniane, duke e nxitur Iranin të hakmerret me raketa dhe dronë drejt qendrës së Izraelit.
Më pas, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme kundër programit bërthamor të Teheranit.
Megjithatë, ministri iranian ka thënë se vendi i tij e mirëpret çdo iniciativë që i jep fund konfliktit në Gazë.
Kush do të marrë pjesë në samitin për paqe në Gazë?
Samiti do të mbahet në Egjipt.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai i Egjiptit, Abdul Fattah al-Sisi do të jenë në krye të bisedimeve.
Në mesin e liderëve tjerë janë: kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.
Në takim do të marrë pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Aty pritet të jetë edhe presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, për ta finalizuar marrëveshjen që i jep fund luftës në Gazë, ka bërë të ditur zyra e tij.
Lirohen shtatë pengjet e para
Hamasi e konfirmon se i ka dorëzuar shtatë pengjet e para.
Më vonë gjatë ditës pritet të lirohen 13 pengjet tjera të gjalla, plus 28 pengje tjera izraelite – 26 tashmë të vdekur dhe fati i dy të tjerëve nuk dihet.
Armëpushimi dhe këmbimi i pengjeve dhe të burgosurve ndodh pas dy vjetësh luftë që është zgjeruar në konflikt rajonal – me përfshirje të Iranit, Jemanit dhe Libanit – dhe i cili ekspertët besojnë se e ka riformësuar Lindjen e Mesme.
Përshëndetje të nderuar lexues,
Po e nisim këtu raportimin në kohë reale mbi zhvillimet në Lindje të Mesme, ku pritet të bëhen hapat e parë drejt paqes në konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve.
Shumë shpejt pritet të nisë dorëzimi i pengjeve izraelite nga ana e Hamasit – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.
Në këmbim, Izraeli do t’i lirojë mijëra palestinezë që mban në burgjet e veta.
Gjatë ditës rajonin e viziton presidenti amerikan, Donald Trump i cili e ka ndërmjetësuar marrëveshjen për dhënien fund të konfliktit në Gazë.
Qëndroni me ne!