Peci thotë se ka pasur pritje që LDK-ja dhe AAK-ja mund të mbështesnin kandidaturën e Gërvallës
Bashkëkryetari i partisë Guxo, Faton Peci, tha se ka pasur pritje që LDK-ja dhe AAK-ja mund të mbështesin kandidaturën për kryeparlamentare të Donika Gërvallës.
“Kam menduar që mund të reflektojë LDK-ja, për shkak se në gjenezë dhe veprimtari, Donika është më LDK sesa këta që sot janë në LDK”, tha ai për gazetarë.
“E dyta, nuk e kam hequr nga lista e pritjeve as AAK-në, përkundër ballafaqimeve të ashpra që Donika ka pasur me zotin Haradinaj”, shtoi Peci.
Sipas tij, “inati e mposht arsyen në politikë”, duke akuzuar partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
“Prej sot është e qartë që pretendimi i partive opozitare që problemi i moskonstituimit të Kuvendit është emri i Albulena Haxhiut nuk qëndron. Problemi i opozitës është se kanë hyrë në aranzhmane me grupe të tjera për të parandaluar Qeverinë Kurti 3”, theksoi Peci.
Ai tha se LVV-ja dhe partnerët e saj, ende nuk kanë vendosur se kush do të kandidohet në seancën e radhës.
Lulzim Peci: Një ditë shprese për konstituimin e Kuvendit
Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), tha se sot ishte “një ditë shprese për konstituimin e Kuvendit”.
Kjo, për shkak se Lëvizja Vetëvendosje propozoi nga një emër për kryeparlamentar vetëm një herë. Një formë e tillë, sipas Pecit, “mund të shkurtojë kohën për konstituimin e Kuvendit”.
“Por, në fund të fundit, gjëja më e rëndësishme është se u respektua vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa të tjerat janë politike”, shkroi ai në Facebook.
Haxhiu: Opozita nuk po dëshiron ta ndryshojë qëndrimin
Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, tha se me moszgjedhjen e saj në postin e kryeparlamentares, apo të Donika Gërvallës, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë treguan se nuk e ndryshojnë qëndrimin.
Ajo tha se Gërvalla jo rastësisht u propozua, pasi ajo "është gruaja e dytë më e votuar në zgjedhjet e shkurtit dhe kjo besoj që duhet të ketë rëndësi për të gjithë".
"Ne menduam që do të kalojë ky propozim [v.j. i Donika Gërvallës], mirëpo ja që opozita asesi nuk dëshiron ta ndryshojë qëndrimin dhe besoj që kurdo që do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta marrë goditjen e qytetarëve të Kosovës", tha Haxhiu pas seancës.
E pyetur se kush do të propozohet në vazhdimin e seancës, Haxhiu tha se i takon vetëm LVV-së të japë emrin për kryeparlamentar, e jo PDK-së, LDK-së e AAK-së.
"Partitë e tjera mund të bëjnë propozime, por për nënkryetar Kuvendi dhe atë vetëm PDK-ja dhe LDK-ja dhe për kryetar Kuvendi, vetëm atëherë kur të dalin partia e parë", tha ajo.
Maliqi: Ish-opozita po tregohet e gatshme për një emër konsensual
Analisti politik Agon Maliqi vlerëson se ish-opozita po tregohet më se korrekte dhe e gatshme të votojë një emër më konsensual të LVV-së.
“AAK madje po i bën publik emrat e pranueshëm. PDK e ka si kriter të mos qenurit ministër në mandatin e kaluar”, shkruan Maliqi në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, arsyeja e parë është mungesa e dëshirës për të projektuar dobësi para publikut dhe për të pranuar se rezultati i zgjedhjeve ishte një fitore relative që imponon konsensus.
Ndërsa arsyeja e dytë sipas Maliqit “është se drama disa mujore shërbeu si zvarritje e qëllimshme për të penguar funksionimin e institucioneve”.