Bajrami: Momenti i fundit që LVV-ja të propozojë kandidat tjetër
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të propozojë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit.
Pak para nisjes së seancës, Bajrami tha se LVV-ja duhet të reflektojë pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Ajo përmendi dy mënyra që, sipas saj, çojnë në zgjidhjen e situatës: me konsensus për një kandidat të pranueshëm nga ana e Vetëvendosjes ose me marrëveshje politike.
Haradinaj: S’kemi votë për Haxhiun
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij nuk ka votë për Albulena Haxhiun.
Ai përsëriti qëndrimin se AAK-ja ka votë për emra të tjerë nga LVV-ja, sikurse ish-kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ish-nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ose deputetja Shqipe Selimi.
I pyetur nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 30-ditëve, ai akuzoi LVV-në se nuk ka ndryshuar qëndrim dhe se po “vazhdon të mbajë peng Kosovën”.
Limaj: Nuk votojmë kandidatin e LVV-së pa marrëveshje politike
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se partia e tij nuk do ta votojë kandidatin e LVV-së për kryetar të Kuvendit pa një marrëveshje politike që garanton formimin e institucioneve të Kosovës.
Ai i bëri këto komente para nisjes së seancës së Kuvendit. Duke iu referuar vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Limaj theksoi se i takon LVV-së të ndërmarrë veprime që garantojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Nis vazhdimi i seancës konstituive
Ka nisur vazhdimi i seancës konstituive. Të pranishëm në sallë janë 119 deputetë.
Kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga LVV-ja të propozojë kandidatin për kryeparlamentar, votimi për të cilin do të mbahet në formë të hapur.