Çfarë ndodhi sot në Kuvend?
Pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e vazhduan sot seancën për konstituimin e Kuvendit.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se në bazë të aktgjykimit të Kushtetueses, votimi për kryeparlamentar do të jetë i hapur.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy emra të ndryshëm për kryeparlamentar, por rezultati në të dy rastet ishin njëjtë: 57 vota ishin për, 56 kundër dhe 3 abstenime.
Fillimisht, Glauk Konjufca doli në foltore dhe njoftoi se partia e tij, fituese e zgjedhjeve të shkurtit, propozonte Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
Në votimin e hapur, Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, dështoi të merrte timonin e organit ligjvënës. Ajo s’kishte marrë 61 votat as në seancat paraprake konstituive.
Më pas, Konjufca sërish doli në foltore dhe propozoi Donika Gërvallën, që shkaktoi të qeshura të deputetëve që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
“Mos qeshni, por votojeni”, tha Konjufca.
As ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nuk arriti të merrte shumicën.
Pas seancës, LVV-ja akuzoi partitë që mandatin e kaluar në opozitë, se me këtë dëshmuan se emri i Haxhiut nuk ishte problemi kryesor, por po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve.
PDK-ja përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të LVV-së që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit.
LDK-ja tha LVV-ja e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme.
Ndërkaq, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës, fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje.
Nisma Socialdemokrate tha se do të abstenojë dhe nuk do të japë votë për pa u arritur një marrëveshje politike.
Vazhdimi i seancës u caktua për të premten, më 22 gusht.
Limaj: LVV-ja e ka për obligim të krijojë shumicën parlamentare
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se i takon LVV-së që të punojë për të bërë shumicën për krijimin e institucioneve të reja
“Partia e parë që e ka të drejtën e propozimit, siç e thotë aktgjykimi, e ka obligim që të punojë fort për të ndërtuar një shumicë qeverisëse parlamentare, e cila do t’i jepte vendit institucione. Presim që këto veprime, këto hapa t’i bëjë partia që e ka të drejtën e propozimit”, tha Limaj.
Limaj shtoi se nuk është takuar me kreun e LVV-së, Albin Kurti, për të diskutuar për një marrëveshje politike që do të mundësonte zhbllokimin e Kuvendit.
Por, ai tha se mbesin në propozimin paraprak të dhënë LVV-së, duke shtuar se derisa nuk ka një marrëveshje politike, ai dhe dy deputete të tjera nga Nisma Socialdemokrate do të abstenojnë.
Maliqi: Ish-opozita po tregohet e gatshme për një emër konsensual
Analisti politik Agon Maliqi vlerëson se ish-opozita po tregohet më se korrekte dhe e gatshme të votojë një emër më konsensual të LVV-së.
“AAK madje po i bën publik emrat e pranueshëm. PDK e ka si kriter të mos qenurit ministër në mandatin e kaluar”, shkruan Maliqi në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, arsyeja e parë është mungesa e dëshirës për të projektuar dobësi para publikut dhe për të pranuar se rezultati i zgjedhjeve ishte një fitore relative që imponon konsensus.
Ndërsa arsyeja e dytë sipas Maliqit “është se drama disa mujore shërbeu si zvarritje e qëllimshme për të penguar funksionimin e institucioneve”.
Haxhiu: Opozita nuk po dëshiron ta ndryshojë qëndrimin
Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, tha se me moszgjedhjen e saj në postin e kryeparlamentares, apo të Donika Gërvallës, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë treguan se nuk e ndryshojnë qëndrimin.
Ajo tha se Gërvalla jo rastësisht u propozua, pasi ajo "është gruaja e dytë më e votuar në zgjedhjet e shkurtit dhe kjo besoj që duhet të ketë rëndësi për të gjithë".
"Ne menduam që do të kalojë ky propozim [v.j. i Donika Gërvallës], mirëpo ja që opozita asesi nuk dëshiron ta ndryshojë qëndrimin dhe besoj që kurdo që do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta marrë goditjen e qytetarëve të Kosovës", tha Haxhiu pas seancës.
E pyetur se kush do të propozohet në vazhdimin e seancës, Haxhiu tha se i takon vetëm LVV-së të japë emrin për kryeparlamentar, e jo PDK-së, LDK-së e AAK-së.
"Partitë e tjera mund të bëjnë propozime, por për nënkryetar Kuvendi dhe atë vetëm PDK-ja dhe LDK-ja dhe për kryetar Kuvendi, vetëm atëherë kur të dalin partia e parë", tha ajo.