Ndërlidhjet

Glauk Konjufca në fjalimin para deputetëve.
Glauk Konjufca në fjalimin para deputetëve.

Konjufca dështon ta bëjë Qeverinë, hapet rruga për zgjedhje

• Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, nuk i siguroi votat e nevojshme për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.

•Konjufca ishte figura e dytë e LVV-së, pas liderit të partisë, Albin Kurtit, që nuk i siguroi votat e nevojshme.

•Sipas Kushtetutës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

• Më herët gjtë ditës, LVV-ja thirri një tjetër seancë për miratim të katër projektligjeve të rëndësishme për vendin - përfshirë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm dhe marrëveshjet ndërkombëtare - por vota të mjaftueshme nuk pati.

• Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha i mbylli diskutimet, por e la të hapur seancën, duke iu kërkuar deputetëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, që të reflektojnë edhe të votojnë më vonë për to.

• Partitë ish-opozitare i bojkotuan diskutimet dhe e fajësuan LVV-në për humbjen potenciale të miliona eurove nga fondet e huaja.

• Kosova është me Qeveri në detyrë, në mungesë të një ekzekutivi të ri, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

14:55 19.11.2025

Konjufca tregon prioritetet kryesore për Qeverinë e re

Në ekspozenë e tij, Konjufca tha se ekzekutivi i tij, nëse zgjidhet do t'i trajtojë çështjet kryesore: “buxhetin e shtetit, miratimin e Planit të Rritjes, disa marrëveshje ndërkombëtare financiare, ekzekutimin e pagave dhe miratimin e buxhetit për Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok".

Mandatari Glauk Konjufca gjatë fjalës së tij para deputetëve.
Mandatari Glauk Konjufca gjatë fjalës së tij para deputetëve.


15:05 19.11.2025

Uran IsmailI: Kjo seancë është farsë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Uran Ismaili, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të shtetit gjatë gjithë vitit, ndërsa seancën e së mërkurës e ka quajtur farsë.

“Kosova ka hyrë në mentalitet bllokues dhe arkitekt është vetë zoti [Albin] Kurti. Është dëshpëruese të shohësh Kuvendin në këtë situatë”, ka thënë Ismaili, duke e fajësuar kryeministrin në detyrë, Kurtin, për një mori gjërash.

Uran Ismaili.
Uran Ismaili.
15:05 19.11.2025

Konjufca prezanton kabinetin qeverisës

Konjufca prezantoi para Kuvendit përbërjen e propozuar qeveritare:

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Albin Kurti

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka

Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati

Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Avni Zogiani

Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Fatmir Spahiu

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Rasim Demiri

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Besnik Bislimi

Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari

Ministre e Energjisë dhe Minierave, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Sejnur Veshall.

15:13 19.11.2025

Abdixhiku: Kurti sheh dhe krijon vetëm kundërshtarë

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Kosova nën qeverisjen e Albin Kurtit të LVV-së nuk është udhëhequr nga arsyeja, duke e akuzuar Kurtin se “po krijon vetëm kundërshtarë".

“Kosova ka një kohë që po udhëhiqet jo nga arsyeja, por nga një realitet paralel që e sheh Albin Kurti”, tha ai.

“Sikurse Don Kishoti i Servantesit, Albin Kurti i LVV-së, zgjohet çdo ditë, çdo mëngjes në një botë që e ka krijuar vetë dhe në atë botë Kurti sheh dhe krijon vetëm kundërshtarë”, shtoi Abdixhiku.

Ai tha se LVV-ja humbi 15 ditë kohë, pasi nuk ka vota për Qeverinë e Konjufcës, duke e cilësuar këtë seancë si "shfaqje teatrale".

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Fotografi nga arkivi.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Fotografi nga arkivi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG