Ndërlidhjet

Glauk Konjufca në fjalimin para deputetëve.
Glauk Konjufca në fjalimin para deputetëve.

Konjufca dështon ta bëjë Qeverinë, hapet rruga për zgjedhje

• Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, nuk i siguroi votat e nevojshme për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.

•Konjufca ishte figura e dytë e LVV-së, pas liderit të partisë, Albin Kurtit, që nuk i siguroi votat e nevojshme.

•Sipas Kushtetutës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

• Më herët gjtë ditës, LVV-ja thirri një tjetër seancë për miratim të katër projektligjeve të rëndësishme për vendin - përfshirë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm dhe marrëveshjet ndërkombëtare - por vota të mjaftueshme nuk pati.

• Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha i mbylli diskutimet, por e la të hapur seancën, duke iu kërkuar deputetëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, që të reflektojnë edhe të votojnë më vonë për to.

• Partitë ish-opozitare i bojkotuan diskutimet dhe e fajësuan LVV-në për humbjen potenciale të miliona eurove nga fondet e huaja.

• Kosova është me Qeveri në detyrë, në mungesë të një ekzekutivi të ri, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

12:52

Një përmbledhje e shkurtër e asaj se çfarë ndodhi në orën e fundit

  • Seanca e thirrur për të mërkurën paradite, një nga dy seancat e ditës, nisi me vonesë dhe me mungesë të madhe deputetësh.
  • Të pranishëm në sallë ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe disa deputetë nga pakicat joserbe.
  • Por, partitë e tjera të mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, e bojkotuan seancën siç kishin paralajmëruar.
  • Përfaqësuesit e tyre thanë se seanca është “e paligjshme dhe jokushtetuese”.
  • Në seancë parashihej të hidheshin në votim marrëveshjet ndërkombëtare, buxheti vjetor i shtetit për vitin 2026, buxheti për tri komuna dhe për Radio Televizionin e Kosovës.
  • Kurti tha se, nëse marrëveshjet ndërkombëtare nuk votohen sot, Kosova do t’i humbë 200 milionë euro.
  • Ai dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, u bënë thirrje partive politike të shkojnë në seancë për t’i kaluar marrëveshjet.
  • Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 80 vota për.

Mbetet të shihet nëse këto projektligje do të votohen më vonë gjatë ditës...

14:05

Haradinaj para seancës për Qeverinë: Jemi kundër Qeverisë Konjufca

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha për mediat para nisjes së seancës për zgjedhjen e Qeverisë që partia e tij është kundër kandidaturës së Glauk Konjufcës për krijimin e Qeverisë së re.

“Është vendim i AAK-së që votojmë kundër kësaj kandidature, këtij mandatari. Zoti Konjufca duhet t’iu kërkojë falje qytetarëve që i ka vonuar edhe dy javë”, tha ai.

Haradinaj shtoi se “sot është dita e kthesës”, duke shtuar se beson që zgjedhjet e reja janë zgjidhja.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
14:11

Haxhiu kërkon që të votohet Konjufca për kryeministër

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu nga LVV-ja u bëri thirrje partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë që të votojnë për Qeverinë e udhëhequr nga Glauk Konjufca.

Ajo tha se ish-opozita gjithmonë e ka konsideruar Konjufcën si “figurë unifikuese” andaj tha se sot është “koha që t’i japin mbështetje”.

Ajo po ashtu kërkoi që partitë e tjera shqiptare të votojnë për ligjet e rëndësishme, siç është çështja e buxhetit të shtetit dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu. Fotografi nga arkivi.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu. Fotografi nga arkivi.
14:16

Limaj: Ky është kalkulim elektoral

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, para nisjes së seancës për zgjedhjen e Qeverisë, tha e gjithë kjo situatë sot është “një lojë e cila tërësisht është kalkulim elektoral dhe nuk e ka aspak shqetësimin e kërkesave dhe nevojave që ka Kosova”.

Ai tha se me seancën e parë u tentua që të “përmbysen praktikat parlamentare”.

“Nuk ka seancë parlamentare për komisione e buxhet, e pasdite Qeveria. Rregullat janë ndryshe, fillimisht Qeveria”, tha ai për mediat para nisjes së seancës.

Limaj tha që dy javë nuk ka pasur përpjekje për formimin e Qeverisë, por duke përdorur një shprehje popullore tha se është tentuar “t’i lihet kilja njëri-tjetrit”.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Fotografi nga arkivi.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Fotografi nga arkivi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG