Limaj: Ky është kalkulim elektoral
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, para nisjes së seancës për zgjedhjen e Qeverisë, tha e gjithë kjo situatë sot është “një lojë e cila tërësisht është kalkulim elektoral dhe nuk e ka aspak shqetësimin e kërkesave dhe nevojave që ka Kosova”.
Ai tha se me seancën e parë u tentua që të “përmbysen praktikat parlamentare”.
“Nuk ka seancë parlamentare për komisione e buxhet, e pasdite Qeveria. Rregullat janë ndryshe, fillimisht Qeveria”, tha ai për mediat para nisjes së seancës.
Limaj tha që dy javë nuk ka pasur përpjekje për formimin e Qeverisë, por duke përdorur një shprehje popullore tha se është tentuar “t’i lihet kilja njëri-tjetrit”.
Haxhiu kërkon që të votohet Konjufca për kryeministër
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu nga LVV-ja u bëri thirrje partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë që të votojnë për Qeverinë e udhëhequr nga Glauk Konjufca.
Ajo tha se ish-opozita gjithmonë e ka konsideruar Konjufcën si “figurë unifikuese” andaj tha se sot është “koha që t’i japin mbështetje”.
Ajo po ashtu kërkoi që partitë e tjera shqiptare të votojnë për ligjet e rëndësishme, siç është çështja e buxhetit të shtetit dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Haradinaj para seancës për Qeverinë: Jemi kundër Qeverisë Konjufca
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha për mediat para nisjes së seancës për zgjedhjen e Qeverisë që partia e tij është kundër kandidaturës së Glauk Konjufcës për krijimin e Qeverisë së re.
“Është vendim i AAK-së që votojmë kundër kësaj kandidature, këtij mandatari. Zoti Konjufca duhet t’iu kërkojë falje qytetarëve që i ka vonuar edhe dy javë”, tha ai.
Haradinaj shtoi se “sot është dita e kthesës”, duke shtuar se beson që zgjedhjet e reja janë zgjidhja.
Një përmbledhje e shkurtër e asaj se çfarë ndodhi në orën e fundit
- Seanca e thirrur për të mërkurën paradite, një nga dy seancat e ditës, nisi me vonesë dhe me mungesë të madhe deputetësh.
- Të pranishëm në sallë ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe disa deputetë nga pakicat joserbe.
- Por, partitë e tjera të mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, e bojkotuan seancën siç kishin paralajmëruar.
- Përfaqësuesit e tyre thanë se seanca është “e paligjshme dhe jokushtetuese”.
- Në seancë parashihej të hidheshin në votim marrëveshjet ndërkombëtare, buxheti vjetor i shtetit për vitin 2026, buxheti për tri komuna dhe për Radio Televizionin e Kosovës.
- Kurti tha se, nëse marrëveshjet ndërkombëtare nuk votohen sot, Kosova do t’i humbë 200 milionë euro.
- Ai dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, u bënë thirrje partive politike të shkojnë në seancë për t’i kaluar marrëveshjet.
- Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 80 vota për.
Mbetet të shihet nëse këto projektligje do të votohen më vonë gjatë ditës...