Nis seanca
Ka nisur vazhdimi i seancës konstituive.
Të pranishëm në sallë janë 115 deputetë.
Në nisje të seancës, kryesuesi Avni Dehari se seancën paraprake është bërë një gabim në numërim të votave. Ai tha se për Donika Gërvallën kishin votuar 56 për, 56 ishin kundër dhe tre abstenuan.
Seanca vazhdojë me propozimin e LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Thirrjet e ndërkombëtarëve për konstituimin e Kuvendit
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Italia u kanë bërë thirrje deputetëve që të konstituojnë sa më shpejt përbërjen e re parlamentare në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Nga Ambasada amerikan në Prishtinë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kjo bllokadë “po i kushton Kosovës me humbje të mundësive”.
“Është koha që udhëheqësia të vendosë përparësi tek progresi dhe stabiliteti, për të mirën e të gjithë qytetarëve”, thanë nga Ambasada amerikane.
BE-ja, ndërkaq, inkurajoi deputetët të konstituonin organin ligjvënës.
Zyra e BE-së në Kosovë thanë më herët gjatë javës për REL-in se blloku “po i ndjek me kujdes zhvillimet që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë”.
Ndërkohë, Ambasada e Italisë në Prishtinë kërkoi nga deputetët të bënin hapa para për përmbylljen e themelimit të Kuvendit.
“Shpresojmë që të gjithë aktorët politikë të punojnë me përgjegjësi për të siguruar konstituimin e Kuvendit me kohë, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Ambasada e Italisë në Kosovë në një përgjigje dërguar REL-it.
Limaj: Nëse LVV dëshiron krijimin e institucioneve, i duhet marrëveshje politike
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se është e nevojshme një marrëveshje politike për të dalë nga situata aktuale.
“Kontributi më i madh dhe garancia për të ndërtuar institucione është ashtu siç ka ndodhur gjithmonë – kur nuk i keni votat e nevojshme, bëni përpjekje për marrëveshje politike. Një marrëveshje politike e cila siguron shumicën parlamentare, nga e cila del edhe kryetari i Kuvendit, edhe Qeveria e Kosovës”, tha Limaj.
Haziri: Duhet një marrëveshje politike që të zhbllokohet situata
Deputeti i LDK-së, Lufti Haziri, tha se duhet të punohet që të arrihet një marrëveshje politike në mënyrë që të zhbllokohet situata e krijuar.
Para seancës, ai tha se duhet të arrihet një marrëveshje “që i garanton të propozuarit që mund të zgjidhet”.
I pyetur për propozimin e AAK-së për një konsultë mes partive politike, Haziri tha se nisma është e mirëpritur, por insistoi se situata nuk zgjidhet pa marrëveshje politike.
Partitë politike janë të detyruar të bashkëpunojnë, tha Haziri, duke kujtuar se rezultati zgjedhor nuk i mundëson asnjë partie të ketë shumicën parlamentare vetëm.
“Partia e parë duhet të hulumtojë rrugë, të gjejë rrugë” drejt një marrëveshjeje politike, tha ai.