Haxhiu: S’do të jem kandidate për kryeparlamentare
Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, tha se sot emri i saj sot nuk do të propozohet për kryeparlamentare.
“Unë jo”, tha shkurt ajo kur u pyet nga gazetarët se kush do të jetë i propozuari nga LVV-ja për postin e kreut të Kuvendit.
Ndërkaq, Haxhiu tha se në seancë do të kuptohet se kush do të propozohet.
Zyrtarë të tjerë të LVV-së thanë më herët se në mbledhjen e grupit parlamentar, para nisjes së seancës, do të vendoset se kush do të kandidohet.
Haradinaj: Do të kërkojmë konsultë me grupet parlamentare
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se partia e tij do të kërkojë, para nisjes së seancës, konsultë me partitë e përfaqësuara në Kuvend.
Sipas Haradinajt, në këtë konsultë duhet të diskutohet për kandidaturat dhe të mos shkohet në seancë pa e ditur paraprakisht emrin e kandidatit që Vetëvendosje do ta propozojë për kryetar të Kuvendit.
Haradinaj tha se partia e tij ka edhe emra të tjerë nga Vetëvendosja, të cilët do t’i votonte për kryetar të Kuvendit.
“Kemi shumë emra të tjerë në Vetëvendosje që do t’i votonim”, tha Haradinaj.
Mustafa: S’votojmë asnjë kandidat pa marrëveshje politike
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, tha se partia e tij nuk voton asnjë kandidat për kryeparlamentar pa një marrëveshje paraprake politike.
“Do të shohim nëse LVV-ja do të gjejë një kompromis” për konstituimin e Kuvendit, pra votimin e Kryesisë së organit ligjvënës, tha Mustafa para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive.
LDK-ja më herët ka refuzuar një ofertë të LDK-së për bashkëpunim.
Qalaj: LVV-ja të ndërmarrë nismë për krijimin e shumicës parlamentare
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se pret një nismë nga LVV-ja për krijimin e një shumice parlamentare.
“Shumica parlamentare krijohet me një marrëveshje politike”, tha ai për gazetarët para Kuvendit.
Qalaj tha se PDK-ja është e hapur dhe gjithmonë ka qenë pjesë e të gjitha bisedimeve, teksa i bëri thirrje LVV-së të merr “hapa konkretë”.
Qëndrimi i PDK-së, tha Qalaj, është i njëjtë – nuk votojnë asnjë kandidatëqë ka qenë pjesë e qeverisë. Ndërkaq, për kandidatët e tjerë, Qalaj tha se kandidaturat e tyre duhet të diskutohen dhe të merren vendime për votimin ose jo të tyre.