Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
12:39 24.2.2022

Stoltenberg: Ky është moment i rëndë për sigurinë e Evropës

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke komentuar situatën në Ukrainë, ka thënë se ky është moment i rëndë për sigurinë në Evropë.

“Ne kemi një luftë në Evropë, të shkallës dhe llojit që kemi menduar se i përkiste historisë”.

Ai ka thënë se ka përfunduar një takim me zyrtarë të NATO-s dhe një listë të gjatë të shteteve që janë pajtuar për të mbajtur konsultime urgjente.

Stoltenberg ka thënë se sulmi “i pajustifikuar dhe i paprovokuar” ndaj Ukrainës është duke vënë në rrezik jetët e shumë njerëzve.

Sipas tij, Rusia ka nisur sulmet nga toka dhe ajri nga drejtime të ndryshme, duke shënjestruar infrastrukturën ushtarake dhe qendrat e qyteteve urbane të Ukrainës.

“Ky është një pushtim i qëllimshëm dhe gjakftohtë që është planifikuar gjatë”, ka thënë ai.

Stolteneberg ka thënë se liderët rusë do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre dhe jetët e humbura.

12:55 24.2.2022

Lufta në Ukrainë – Çfarë duhet të dini?

  • Ukraina gjendet në pjesën lindore të Evropës, ashtu sikurse Rusia.
  • Është shteti i dytë më i madh në Evropë, ndërsa Rusia është shteti më i madh në botë.
  • Ukraina ka një popullsi prej 44 milionë banorësh, ndërsa Rusia ka 144 milionë banorë.
  • Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se qëllimi tij është çmilitarizimi i Ukrainës.
  • Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është zotuar se do të luftojë për lirinë e shtetit.
  • Rusia ka marrë kontrollin e Gadishullit ukrainas të Krimesë më 2014.
  • Prej atëherë, Ukraina është drejtuar nga institucionet evropiane dhe aleanca e Perëndimit NATO.
  • Putin ka thënë se dëshiron të shmangë integrimin e Ukrainës në këtë aleancë.
13:17 24.2.2022

Scholz: Kjo është lufta e Putinit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka konsideruar sulmin rus në Ukrainë si luftë të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Putin po sjell vuajtje dhe shkatërrim në fqinjët e tij, po shkel sovranitetin dhe kufijtë e Ukrainës… po kërcënon jetët e njerëzve të pafajshëm në Ukrainë. Ai po kërcënon rregullin paqësor në kontinentin tonë. Për këtë nuk ka arsyetim. Kjo është lufta e Putinit”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz.

13:28 24.2.2022

Erdogan kundërshton sulmin rus

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se kundërshton operacionin ushtarak të Rusisë.

Ai e ka quajtur sulmin rus si “goditje të rëndë për paqen dhe stabilitetin rajonal”.

Ministria e Jashtme e Turqisë i ka bërë thirrje Federatës Ruse që menjëherë t’i japë fund “këtij akti të paligjshëm”.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG