Kremlini: Ukraina duhet të çmilitarizohet
Kremlini ka thënë më 24 shkurt se qëllimi i pushtimit rus në Ukrainë është “çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës”.
Më herët gjatë së enjtes, presidenti rus, Vladimir Putin ka arsyetuar pushtimin e Ukrainës, duke thënë se Moska do të tentojë të çmilitarizojë dhe të “denazifikojë” Ukrainën, duke përsëritur akuzat e tij të pabaza, të bëra në një fjalim më 21 shkurt, se Qeveria ukrainase është “neo-naziste” që synon të ketë armë bërthamore.
“Ukraina duhet të çlirohet dhe të pastrohet nga nazistët, personat me orientime dhe ideologji naziste”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve në Moskë.
Ai ka refuzuar të japë më shumë detaje kur një gazetar e ka pyetur nëse konsideron që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy dhe Qeveria e tij janë “nazistë”.
Lituania shpall gjendje të jashtëzakonshme
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.
Ai ka thënë se planifikon të dërgojë ushtrinë në kufi për qëllime të mbrojtjes, si përgjigje ndaj “trazirave dhe provokimeve të mundshme për shkak të grumbullimit të madh të forcave në Rusi dhe Bjellorusi”.
Ndërkohë, Kaja Kallas, kryeministre e Estonisë – shtet në kufi me Rusinë – ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se “ne do t’i ndihmojmë Ukrainës me të gjitha mjetet që kemi” përfshirë mbështetjen politike dhe dërgimin e armëve.
Kallas ka thënë se “ne duhet të bëjmë gjithçka në BE dhe NATO që ky agresion të mos zgjerohet”.
Sulmi rus trondit ukrainasit
Banorët e Ukrainës kanë ngelur të tronditur nga sulmi që ndërmori Rusia në mëngjesin e 24 shkurtit ndaj vendit të tyre, teksa kanë nxituar të gjejnë strehim nëpër stacionet nëntokësore hekurudhore, nga frika e bombardimeve.
Finalja e Ligës së Kampionëve pritet të zhvendoset nga Rusia
Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka kërkuar mbajtjen e një “takimi të jashtëzakonshëm” të komitetit ekzekutiv të premten, për të diskutuar situatën, pas pushtimit rus në Ukrainë.
Finalja ishte planifikuar të mbahej më 28 maj në Shën Petërsburg.