Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
19:56 2.4.2022

Ukraina rimerr të gjithë rajonin e Kievit

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar tha se forcat ukrainase kanë rimarrë të gjithë rajonin e Kievit.

Malyar tha se “i gjithë rajoni i Kievit është çliruar nga pushtuesi”.

Ka pasur edhe raportime të tjera që forcat ukrainase kanë rimarrë territorin rreth kryeqytetit ditët e fundit, derisa forcat ruse po tërhiqen.

19:50 2.4.2022

Scholz paralajmëron “shkatërrimin e së ardhmes” si pasojë e luftës në Ukrainë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka paralajmëruar pasoja të rënda botërore si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne duhet të sigurojmë që kjo luftë të përfundojë shpejt”, tha Scholz të shtunën.

Me sulmin ndaj vendit fqinj, presidenti rus Vladimir Putin po ndjek “pretendime territoriale që rrjedhin nga vizionet imperialiste të shekujve të mëparshëm”, tha Scholz.

“Putin nuk po kërcënon vetëm Ukrainën. Ai nuk po shkatërron vetëm jetë njerëzish, rrugë, infrastrukturë, shtëpi, spitale atje. Ai po shkatërron gjithashtu të ardhmen e Rusisë. Ky është gabimi më i madh i presidentit Putin”, theksoi Scholz.

Putin ka llogaritur gabim me luftën e tij, tha kancelari gjerman, duke iu referuar rezistencës së Ukrainës dhe unitetit të madh të botës demokratike.

“Sepse të gjitha planet, të gjitha skemat që presidenti rus ka vënë në lëvizje kanë dështuar. Ai nuk priste që Ukraina të mbrohej. Ai besonte se do të kishte njerëz që do të qëndronin atje duke valëvitur flamujt dhe duartrokitur. Nuk është kështu. Të gjithë po mbrojnë veten e tyre”, tha Scholz.

“Pas pesë javësh, tashmë mund të shihen pasojat që kjo luftë ka shkaktuar, jo vetëm në Ukrainë dhe Rusi, por në mbarë botën. Të gjitha vështirësitë me të cilat po përballet sot ekonomia botërore, të cilat tashmë ishin mjaft të mëdha për shkak të pandemisë së koronavirusit, tani po bëhen edhe më të mëdha për shkak të kësaj lufte”, tha Scholz.

“Unë them: është një shkatërrim i së ardhmes, shumë përtej Rusisë dhe Ukrainës”, shtoi tha Scholz.

19:01 2.4.2022

Ukrainë: Trupa të pajetë të shpërndarë nëpër rrugë

Trupa të pajetë janë parë nga gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP në qytetin Buça, pasi trupat ruse u tërhoqën.

Siç raporton AFP, ata kanë parë të paktën 20 trupa të shpërndarë përgjatë një rruge.

Buça, jo shumë larg nga Kievi, është përballur me disa nga luftimet më të rënda në javët e fundit.

Trupat e pajetë duket sikur ishin hedhur nga pjesa e pasme e një kamioni. Raportohet se të gjithë ishin të veshur me rroba civile. Disa prej tyre, me duar të lidhura dhe me plagë plumbash në kokë.

Kryetari i bashkisë tha se pothuajse 300 të vrarë janë varrosur në një varr masiv në Buça.

“Në Buça, ne kemi varrosur tashmë 280 njerëz në varre masive”, tha për AFP-në përmes telefonit kryetari i bashkisë, Anatoli Fedoruk.

Ai tha se rrugët e qytetit të shkatërruar rëndë janë të mbushura me kufoma.

Disa të vrarë në një rrugë në Buça, afër Kievit.
Disa të vrarë në një rrugë në Buça, afër Kievit.

18:51 2.4.2022

Klitschko lavdëron Gjermaninë për mbështetjen

Vladimir Klitschko, një ish-kampion ukrainas i boksit, vëllai i të cilit është kryetar i bashkisë së Kievit, lavdëroi Gjermaninë për ndihmën e saj.

Ai u takua me zyrtarë në Berlin në një përpjekje për të mbledhur më shumë mbështetje për vendin e tij.

Klitschko dhe vëllai i tij Vitali, gjithashtu një ish-yll i boksit, kanë lidhje të forta me Gjermaninë, pasi kanë kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tyre profesionale atje.

Por ata kanë akuzuar më parë Berlinin se nuk ka bërë sa duhet për të ndihmuar Ukrainën përballë pushtimit rus.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG