Këshilltari i Zelenskyt thotë se Rusia po i shton sulmet në lindje të Ukrainës
Ushtria ruse po i përqendron sulmet e saj në rajonet lindore të Ukrainës, tha Olexiy Arestovych, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Sipas tij, ka pasur sulme ajrore në qytetet Mariupol, Harkiv dhe Çernihiv.
Përveç industrisë së armëve, u prekën edhe zonat e banuara, tha ai, derisa Rusia mohon të ketë sulmuar civilët.
“Armiku” po përpiqet ta kthejë Çernihivin në një Mariupol të dytë, tha Arestovych.
Qyteti i Mariupolit është shkatërruar rëndë javët e fundit, kurse Çernihivi mund të arrihet ende me rrugë tokësore.
“Banorët mund të largohen nga qyteti”, tha ai.
Këshilltari i presidentit, Volodymyr Zelensky, pret që luftimet e rënda të vazhdojnë në Ukrainën lindore.
Trupat ukrainase kanë rimarrë më shumë se 30 fshatra përreth Kievit.
Pas bisedimeve me Ukrainën, Rusia kishte rënë dakord të martën të reduktonte ndjeshëm operacionet e saj luftarake pranë Kievit dhe Çernihivit.
“Putini është një kriminel lufte”
Ish-kryeprokurorja e Tribunalit në Hagë, Carla Del Ponte ka kërkuar që të lëshohet një urdhër arrest ndërkombëtar për presidentin rus, Vladimir Putin.
“Putini është një kriminel lufte”, tha Carla Del Ponte për gazetën zvicerane Le Temps, në një intervistë të botuar të shtunën.
Në intervistat e dhëna në mediat zvicerane për të shënuar publikimin e librit të saj të fundit, avokatja zvicerane që mbikëqyri hetimet e OKB-së në Ruandë dhe ish-Jugosllavi, tha se në Ukrainë po kryhen krime lufte.
Ajo tha se është e tronditur nga varrezat masive në Ukrainë, që thotë se ia kujtojnë luftërat më të këqija në ish-Jugosllavi.
Për më shumë lexoni këtu.
Ushtria ukrainase përdor dronë për t’i gjetur armiqtë
Nga një pyll, pranë fshatit Kuhari, në rajonin e Kievit, ushtarët drejtojnë dronë vëzhgues, në kërkim të objektivave për mortajat e tyre. Një ekip mortajash përdor informatat e siguruara nga fluturaket e telekomanduara, për të shtënë në drejtim të forcave ruse. Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, ka biseduar me disa prej ushtarëve, më 30 mars, për mënyrën se si ata janë bërë pjesë e luftës, teksa ai gjithashtu ka shikuar nga afër dëmet e shkaktuara nga sulmet ruse në fshat.
Flamuri i Ukrainës valëvitet sërish në Çernobil
Flamuri kombëtar ukrainas u ngrit të shtunën mbi termocentralin bërthamor të Çernobilit, derisa punëtorët kënduan himnin kombëtar.
Ata festuan largimin e trupave ruse që kishin pushtuar vendin për javë të tëra.
“Në ceremoninë e ngritjes së flamurit mori pjesë personeli operacional i stacionit, i cili ka siguruar dhe vazhdon të sigurojë sigurinë bërthamore dhe rrezatuese të objekteve gjatë kushteve të vështira të okupimit”, njoftoi kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës, Energoatom në Telegram.
Kompania shtetërore bërthamore tha se të gjitha forcat ruse janë larguar.