Goditet reaktori kërkimor bërthamor në Harkiv
Një reaktor kërkimor bërthamor në Harkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është goditur nga granatimet ruse, sipas autoriteteve lokale.
Mediumi ‘Kyiv Independent’ raporton se për shkak të bombardimeve të vazhdueshme në zonë, në verilindje të vendit, autoritetet nuk kanë qenë në gjendje të vlerësojnë dëmet.
Rusia është kritikuar vazhdimisht për shënjestrimin e centraleve bërthamore në Ukrainë.
Edhe pse e rrezikshme, deri më tani nuk ka pasur asnjë lëshim të materialit radioaktiv.
Shtetet e Bashkuara do t'i japin Ukrainës 100 milionë dollarë shtesë
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë t’i japin 100 milionë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën.
Fondet do të përdoren për të ndërtuar kapacitetet e Ministrisë së Brendshme të Ukrainës me qëllim "sigurinë kufitare, ruajtjen e funksioneve civile të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike të shtetit", tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken.
Biden flet me liderin e opozitës bjelloruse
Presidenti amerikan, Joe Biden, foli përmes telefonit me udhëheqësen e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya dhe e falënderoi atë për pjesëmarrje në fjalimin e tij në Varshavë të Polonisë, tha Shtëpia e Bardhë.
“Presidenti [Biden] theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin bjellorus në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë lirinë e shprehjes dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Rusia ka shkatërruar rreth 4,500 ndërtesa banimi në Ukrainë
Rusia ka shkatërruar rreth 4,500 ndërtesa banimi, 100 ndërmarrje, 400 institucione arsimore dhe 150 institucione mjekësore në Ukrainë, thotë një ministër i qeverisë ukrainase.
Dëmi i përgjithshëm në të gjithë vendin do të vlerësohet pas përfundimit të luftimeve dhe heqjes së minave, thotë Ministri për Zhvillimin e Komunitetit dhe Territorit Oleksiy Chernyshov, përcjell agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine.
Sipas vlerësimeve paraprake, humbjet e shkaktuara kanë arritur në dhjetëra miliarda dollarë amerikanë, dhe shuma pritet të rritet çdo ditë.