Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
21:07 25.3.2022

Macron do të bisedojë me Putinin për situatën në Mariupol

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se do të zhvillojë bisedime të reja me homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë 48-72 orëve të ardhshme, lidhur me situatën në Ukrainë dhe një nismë për të ndihmuar banorët e qytetit të rrethuar të Mariupolit.

Macron tha se po koordinonte përpjekjet me Greqinë dhe Turqinë dhe tha se shpreson që ta bindë Rusinë që të lejojë evakuimin nga ky qytet-port, që gjendet në juglindje të Ukrainës.

Mariupoli është goditur më së rëndi nga bombardimet ruse. Dhjetëra-mijëra persona besohet se janë të bllokuar në qytet dhe kanë pak qasje në ushqim, rrymë apo ngrohje, ndërkaq, pjesa më e madhe e qytetit është shndërruar në gërmadha nga bombardimet ruse.

Lidhur me situatën në Mariupol, Macron tha se ka biseduar me kryetarin e këtij qyteti.

“Ne po koordinohemi dhe ne do të negociojmë me rusët”, u tha Macron gazetarëve në Bruksel, pas një samitit të Bashkimit Evropian.

Ai tha se shpreson që ndihma të arrijë te banorët e Mariupolit në ditët e ardhshme.

“Do të zhvillojë një bisedë me presidentin Putin në 48-72 orët e ardhshme për të finalizuar detajet dhe modalitetet. Kjo çështje është urgjente”, tha Macron.

20:18 25.3.2022

Rusia sulmon qendrën komanduese në Vinitsia

Kievi tha se një sulm me raketa i kryer nga Rusia, ka goditur një qendër komanduese ushtarake, në qytetin Vinitsia.

Raketat goditën disa ndërtesa, duke shkaktuar “dëme të konsideruese në infrastrukturë”, tha forca ajrore ukrainase në një postim në Telegram.

Më herët gjatë ditës, Rusia pretendoi se ka shkatërruar pothuajse plotësisht forcën ajrore dhe aftësinë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

19:32 25.3.2022

Zhvillimet e fundit në Ukrainë

Nëse tani i jeni bashkuar blogut tonë, këto janë disa prej zhvillimeve të fundit lidhur me luftën në Ukrainë

  • Rusia tha se faza e parë e luftës ka përfunduar dhe tani ushtria ruse do të fokusohet në “çlirimin e plotë” të rajonit ukrainas të Donbasit, që gjendet në lindje
  • Presidenti amerikan, Joe Biden, po e viziton Poloninë. Ai u takua me disa ushtarë amerikanë në një bazë ushtarake jo fort larg kufirit me Ukrainën
  • Ukraina tha se bisedimet me Rusinë janë “shumë të vështira”. Kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se ende nuk ka kompromis me palën ruse, sa i përket çështjeve kyçe
  • Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se 1,351 ushtarë janë vrarë gjatë luftës në Ukrainë dhe 3,852 të tjerë janë plagosur. NATO ka vlerësuar më herët gjatë javës se në muajin e parë të luftës, janë vrarë ndërmjet 7,000-15,000 ushtarë rusë. Ndërkaq, Ukraina pretendon se ka vrarë mbi 15,000 ushtarë rusë
  • OKB-ja ka konfirmuar vdekjen e të paktën 1,081 civilëve, por ka paralajmëruar se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta
19:24 25.3.2022

Spotify tërhiqet nga Rusia

Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Spotify tha se do të tërhiqet nga Rusia për shkak të ligjeve të reja ruse që godasin kompanitë mediale apo ato online.

Për lajmet për pushtimin rus të Ukrainës, që cilësohen si “lajme të rreme”, bartin një dënim deri në 15 vjet burgim në Rusi.

Në një deklaratë për media, Spotify tha se rregullat “kufizojnë edhe më tej qasjen në informacion, eliminojnë lirinë e shprehjes dhe kriminalizojnë një sërë lajmesh dhe vënë në rrezik jetën e punëtorëve të Spotify dhe potencialisht edhe të dëgjuesve tanë”.

“Duke shqyrtuar opsionet tona dhe rrethanat aktuale, ne kemi vendosur që të pezullojmë plotësisht shërbimin tonë në Rusi”, tha kompania.

Spotify, që më së shumti njihet për platformën e transmetimit të muzikës, po ashtu ka edhe podkaste si pjesë të modelit të tij, por edhe lajme dhe emisione për situatën aktuale.

Më herët gjatë marsit, kompania kishte mbyllur zyrën në Rusi, por vazhdoi të shiste produktet e saj në vend.

Edhe kompani të tjera ndërkombëtare kanë njoftuar për pezullimin e punës së tyre në Rusi, pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG