OKB: Të paktën 1,081 civilë të vdekur në Ukrainë
Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se ka konfirmuar të paktën 1,081 civilë të vdekur dhe 1,707 të plagosur në Ukrainë që prej se Rusia nisi pushtimin e vendit.
Kjo zyre shtoi se numri real i viktimave konsiderohet të jetë më i lartë.
Monitoruesit po punojnë për të verifikuar raportimet për vdekje të tjera në zonat ku ka luftime të ashpra, përfshirë rajonin e Donjeckut, ku gjendet qyteti i Mariupolit, tha OKB-ja.
OKB tha se numri i vdekjeve që ka konfirmuar është më i ulët sesa ai që raporton Ukraina, për shkak se Zyra për të Drejtat e Njeriut me vështirësi po merr informacione nga zonat më të goditura nga lufta.
Rusia thotë se po përballet me "luftë totale" nga Perëndimi
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Rusia po përballet me një luftë totale të shpallur nga Perëndimi.
Në një takim të premten, Lavrov tha se "për ne është shpallur një luftë e vërtetë hibride, një luftë totale". Ai shtoi se qëllimi ishte "shkatërrimi, thyerja, mbytja e ekonomisë ruse dhe Rusisë në tërësi".
Gjatë muajit të parë të pushtimit të Ukrainës, të cilin Rusia e përshkruan si "operacion special ushtarak", Perëndimi prezantoi masa të ashpra që synonin ekonominë dhe sistemin financiar rus, si dhe presidentin Vladimir Putin dhe oligarkët rusë.
Lajmin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
Britania ka lëshuar viza për 20,100 refugjatë ukrainas
Rreth 20,100 viza janë lëshuar në Britani për refugjatët ukrainas, të cilët kanë lidhje familjare në Mbretëri të Bashkuar, kanë thënë autoritetet britanike.
Qeveria britanike ka pranuar 35,500 aplikacione në kuadër të skemës për familjet ukrainase, e cila është lansuar këtë muaj,
Qeveria britanike është përballur me kritika se skema që ofron, nuk është aq bujare sa ajo e Bashkimit Evropian, e cila u lejon refugjatëve ukrainas që të qëndrojnë deri në tre vjet pa viza në territorin e tij.
Kremlini: Asgjë e tmerrshme nuk do të ndodhë nëse Rusia largohet nga G20
Kremlini u është përgjigjur komenteve të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka thënë se përkrah idenë e largimit të Rusisë nga grupi i 20 vendeve me ekonomitë më të mëdha, si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
Kremlini beson se kjo gjë nuk do të ishte katastrofike.
“Formati i G20-ës është i rëndësishëm, mirëpo në kushtet aktuale, kur shumica e pjesëmarrësve janë në luftë ekonomike me ne, asgjë e tmerrshme nuk do të ndodhë”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve.
Peskov ka thënë se bota është më e madhe sesa Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, dhe ka parashikuar se përpjekjet për ta izoluar Moskën do të dështojnë.
Rusët janë duke u përballur me çmime në rritje dhe mungesë të disa mallrave, pasi Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vendeve aleate kanë vendosur masa për të dëmtuar ekonominë ruse.