Policia: Katër të vdekur pas sulmeve ruse në qendrën mjekësore në Harkiv
Katër civilë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, si pasojë e sulmeve ruse që kanë goditur qendrën mjekësore në Harkiv, ka thënë policia lokale.
Harkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe afër kufirit rus në lindje.
“Këtë mëngjes, pas bombardimeve në infrastrukturën civile nga disa lansuese raketash, shtatë civilë janë plagosur dhe katër prej tyre kanë vdekur”, ka thënë policia.
Sulmet kanë shënjestruar një qendër mjekësore në rajonin Osnovianski.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë këto deklarata.
Forcat ruse kanë tentuar pa sukses që të rrethojnë Harkivin.
Analistët besojnë se ata kanë pak municione.
Rritje e lehtë e numrit të refugjatëve që kanë hyrë në Poloni
Më shumë se 2.2 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina drejt Polonisë, prej shpërthimit të luftës, ka thënë Garda Kufitare Polake.
Numri i refugjatëve ka shënuar rënie ditëve të fundit, por të enjten është raportuar për rritje, pasi 32,500 njerëz kanë hyrë në Poloni, apo 7.4 për qind më shumë sesa të mërkurën, kanë thënë autoritetet polake.
Maciej Duszczyk, profesor për kërkime rreth migrimit në Universitetin e Varshavës, vlerëson se rreth 1.2 – 1.3 milion refugjatë vazhdojnë të jenë në Poloni, ndërsa pjesa tjetër ka shkuar në shtetet tjera.
Zyrtarët ukrainas: 300 njerëz mund të kenë vdekur në teatrin e Mariupolit
Zyrtarët ukrainas kanë thënë të premten se rreth 300 njerëz mund të kenë vdekur si pasojë e bombardimeve në teatrin e qytetit të Mariupolit.
Në këtë objekt kanë qenë duke u strehuar qindra persona.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se Rusia ka kryer sulmet.
Rusia mohon se ka sulmuar teatrin, pavarësisht fakteve për të kundërtën.
“Dëshmitarët kanë thënë se rreth 300 njerëz kanë vdekur në Teatrin e Dramës në Mariupol, pas sulmeve të aeroplanit rus”, kanë thënë zyrtarët e teatrit përmes një postimi në Telegram.
Komunikimet brenda në Mariupol janë bërë jashtëzakonisht të vështira, andaj është e vështirë që të konfirmohen informacionet.
Sulmi në teatër ka ndodhur më shumë se një javë më parë, se nuk dihet saktë sa njerëz kanë qenë në të në kohën e sulmit.