Ndër zhvillimet e fundit të 24 marsit:
- Liderët evropianë takohen të enjten në samitin e NATO-s, të Bashkimit Evropian dhe atë të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), një muaj pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë
- Presidenti amerikan, Joe Biden do t’iu bashkohet atyre dhe pritet të prezantojë sanksione të reja kundër Rusisë
- Liderët e NATO-s pritet të forcojnë krahun lindor në Evropë
- Para takimit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë një video-adresim në gjuhën angleze, duke bërë thirrje për protesta globale, si shenjë mbështetjeje për Ukrainën
- Qyteti jugor Mariupol vazhdon të bombardohet dhe rreth 100,000 njerëz kanë mbetur të bllokuar, pa ushqim, ujë dhe karburante
- Qytetet tjera si Kievi, Çernihivi dhe Harkivi janë duke u bombarduar po ashtu
- Agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë thënë se trupat ruse janë të demoralizuara dhe rrezikojnë të rrethohen jashtë Kievit
Borrell akuzon Moskën se po i bllokon bisedimet me Ukrainën
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se Rusia është duke bllokuar bisedimet për arritje të armëpushimit në Ukrainë dhe nuk po i trajton diskutimet me seriozitet derisa të arrijë qëllimet e veta në pushtimin e paprovokuar.
Në një intervistë për transmetuesin spanjoll, TVE, më 24 mars, Borrell ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin synon të rrethojë gjirin e Detit të Zi, në mënyrë që ta izolojë Ukrainën nga qasja në ujëra.
“Tani Rusia nuk dëshiron të ulet dhe të negociojë diçka, ajo dëshiron ta pushtojë tokën”, ka thënë Borell në një intervistë për kanalin spanjoll.
“Dëshiron të negociojë vetëm kur të ketë siguruar pozicionin e fortë”, ka thënë Borell.
Rusia ka nisur pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt.
Ndonëse ka lëvizur në veri dhe lindje, beteja më e ashpër deri më tani ka qenë në Mariupol, ku forcat ruse janë përballur me rezistencën ukrainase.
Marrja e kontrollit të Mariupolit do t’i mundësonte Rusisë që të lidhte Krimenë – që Moska e ka pushtuar më 2014 – me territorin e kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Kremlini në lindje të Ukrainës.
Banorët e Mariupolit, dhjetëra mijëra prej të cilëve ende nuk kanë ikur nga qyteti, janë bllokuar për javë, pa rezerva të ushqimit dhe karburanteve.
Të paktën 2,000 njerëz kanë vdekur dhe disa janë varrosur në varreza masive, kanë thënë autoritetet.
Kryeministrja e Estonisë: NATO-ja duhet të ndalë “kriminelin e luftës” Putinin
NATO-ja duhet të “dyfishojë” përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, ka thënë kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, pak para nisjes së samitit të jashtëzakonshëm të aleancës veri-atlantike në Bruksel.
“Mendoj se duhet të dyfishojmë përpjekjet tona – Putin nuk mund ta fitojë këtë luftë”, ka thënë Kallas, duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin, i cili ka nisur luftën në Ukrainë një muaj më parë.
Lideri i Kremlinit është duke marrë hapa “për të na frikësuar” dhe “të na ndalojë nga ofrimi i ndihmës për Ukrainën”.
“Ne nuk duhet të biem në grackë – ne duhet të ndalim kriminelin e luftës”, ka thënë ajo.
Stoltenberg: Putin bëri “gabim të madh” me pushtim të Ukrainës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë “gabim të madh” me pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Duke folur para samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s më 24 mars, Stoltenberg ka thënë se liderët do të diskutojnë “nevojën për riorganizim të parandalimit dhe mbrojtje në periudhë afatgjatë”.
Aleanca ushtarake ka thënë se do të dyfishojë numrin e dislokimeve që ka në Evropë, duke përmendur Rumaninë, Hungarinë, Sllovakinë dhe Bullgarinë.
“Presidenti Putin ka bërë gabim të madh duke nisur luftë kundër një kombi të pavarur dhe sovran. Ai ka nënvlerësuar fuqinë e popullit ukrainas, trimërinë e popullit ukrainas dhe forcat të tyre të armatosura”, u ka thënë Stoltenberg gazetarëve para takimit.
Ai ka thënë se secili përdorim i armëve komike “do ta ndryshonte në themel” natyrën e konfliktit në mes të Rusisë dhe Ukrainës dhe përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.
“Serioziteti i përdorimit të armëve kimike, natyrisht se rritet edhe më shumë duke pasur parasysh rrezikun e helmimit… mund të ketë përhapje të agjentëve kimikë edhe në territorin e NATO-s”, ka thënë ai.
Ai nuk ka përmendur si do të mund të reagojë NATO-ja në rast të ndonjë sulmi të tillë.