Ukrainasit presin në radhë për bukë në Mariupolin e rrethuar
Si pasojë e dështimit për krijim të korridoreve humanitare dhe arritje të armëpushimeve për evakuim të ukrainasve nga Mariupoli, banorët kanë mbetur me pak rezerva të ushqimit.
Më shumë se 100 njerëz janë duke pritur në radhë për ushqim dhe ndihmë humanitare të enjten, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.
Një nënë e re me dy fëmijë, ka thënë se ka siguruar bukë dhe ushqim, prandaj ndihet me fat.
“Është e vështirë të largohesh me autobus tani. Shpresoj që numri i njerëzve që duan të ikin do të zvogëlohet dhe do të jetë më e lehtë për ne që të largohemi”, ka thënë ajo.
Kompania franceze Renault do të pezullojë operacionet në Moskë
Kompania franceze për prodhim të makinave, Renault do të pezullojë operacionet në fabrikën e saj në Moskë, pasi është kritikuar nga Kievi pse po qëndron ende në Rusi.
Ky vendim vjen pasi Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka bërë thirrje për bojkotim të kompanisë, pasi ka refuzuar që të largohet nga Rusia.
“U bëj thirrje konsumatorëve dhe bizneseve në gjithë botën që të bojkotojnë Renaultin”, ka thënë Kuleba të mërkurën.
Në disa raportime është thënë se Renault ka pezulluar prodhimin në fabrikën në Rusi pas pushtimit rus në Ukrainë, mirëpo më vonë ka rikthyer punën.
Britania do t’ia dërgojë 6,000 raketa ushtrisë ukrainase
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se shteti i tij do të dërgojë 6,000 raketa shtesë dhe ndihmë financiare në vlerë të 33 milionë dollarëve për ushtrinë e Ukrainës, e cila është duke luftuar pushtimin nga ana e Rusisë.
Johnson i ka bërë këto deklarata në prag të nisjes së samitit të NATO-s dhe atij të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), të cilat mbahen në Bruksel.
“Mbretëria e Bashkuar do të punojë me aleatët tanë për të rritur mbështetjen ushtarake dhe atë ekonomike për Ukrainën, duke forcuar mbrojtjen në luftë”, ka thënë Johnson përmes një deklarate.
“Ne nuk mund të rrimë duarkryq teksa Rusia i bën pluhur qytetet dhe qytezat ukrainase”, ka thënë Johnson.
Sipas Zyrës së tij, Johnson do të kërkojë nga aleatët e Perëndimit në samitet e Brukselit, që të rrisin peshën e vendimeve të tyre ndaj Moskës.
Ky njoftim vjen pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje qytetarëve në gjithë botën që të dalin në rrugë dhe të protestojnë pushtimin e Ukrainës nga ana e Rusisë.
“Dilni me simbolet ukrainase për të mbështetur Ukrainën, për të mbështetur lirinë, për të mbështetur jetën”, ka thënë Zelensky në një video-adresim në gjuhën angleze.
Rusia dëbon diplomatë amerikanë në shenjë hakmarrjeje
Rusia ka thënë se do të dëbojë një numër të diplomatëve amerikanë, si shenjë hakmarrjeje, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të dëbuar 12 diplomatë rusë.
Uashingtoni ka thënë muajin e kaluar se do të dëbojë diplomatët rusë nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, për shkak të shqetësimeve të sigurisë, dhe më vonë ka bërë të ditur se do të dëbojë edhe një rus shtesë, për të cilin autoritetet amerikane kanë pretenduar se është spiun.
Të hënën, Ministria e Jashtme e Rusisë ka marrë në pyetje ambasadorin amerikan në Rusi, John Sullivan si shenjë proteste ndaj etiketimit që i ka bërë presidenti amerikan, Joe Biden, liderit rus, Vladimir Putin, duke e quajtur “kriminel lufte”.
Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka konfirmuar se ka marrë listën e diplomatëve që janë shpallur “të padëshiruar” në Rusi.
Ende nuk dihet sa dhe kur diplomatët do të dëbohen nga Rusia.