Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
07:26 24.3.2022

Ukraina: Humbjet e detyrojnë Rusinë të kërkojë rezerva

Rusia është duke bartur trupa në kufijtë e Ukrainës pas humbjeve të mëdha gjatë luftës, pretendon ushtria ukrainase.

Në përditësimin e fundit për konfliktin, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka thënë se “për shkak të humbjeve të mëdha” forcat ruse vazhdojnë të formojnë dhe të zhvendosin njësite shtesë të forcave të armatosura të Federatës Ruse në kufijtë e Ukrainës”.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë këtë informacion.

Zyrtarët e NATO-s besojnë se 7,000 deri në 15,000 trupa ruse mund të jenë vrarë në muajin e parë të konfliktit, ndërsa numri i të plagosurve mund të shkojë nga 30,000 deri në 40,000.

07:12 24.3.2022

Uniteti i Perëndimit

Presidenti amerikan, Joe Biden u bashkohet të enjten liderëve të Perëndimit në Bruksel në tri samite për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë, një muaj pas nisjes së pushtimit.

Një çështje që pritet të diskutohet është edhe gatishmëria e Evropës për t’u përfshirë ushtarakisht në konflikt.

Liderët e NATO-s kanë forcuar krahun lindor me mijëra trupa, bashkë me anije luftarake dhe pajisje tjera për mbrojtje.

Mirëpo jo të gjitha shtetet kanë qenë të gatshme të dërgojnë armë.

NATO-ja e ka bërë të qartë se nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në konflikt, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.

Megjithatë, liderët e Perëndimit pritet të marrin vendim nëse Rusia përshkallëzon luftën duke sulmuar konvojin e armëve të Perëndimit, nëse përdor armë kimike apo armë taktike bërthamore.

07:00 24.3.2022

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Po e rinisim raportimin në kohë reale lidhur me zhvillimet e lidhura me luftën në Ukrainë.

Më 24 mars është bërë një muaj prej kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur pushtimin e Ukrainës.

Megjithatë, ai vendimin e tij e quan “operacion special ushtarak”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje njerëzve në gjithë botën që të dalin në rrugë dhe të protestojnë si shenjë mbështetjeje për Ukrainën.

Ai ka thënë se lufta e Rusisë nuk është vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër lirisë së njerëzve gjithandej – dhe që bota duhet ta ndalë Rusinë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

23:55 23.3.2022

Lexues të nderuar, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejt të ngjarjeve në Ukrainë. Do të rikthehemi sërish nga ora 07:00.

Më poshtë mund të lexoni ngjarjet kryesore që ndodhën gjatë së mërkurës në luftën në Ukrainë:

  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për mbajtjen e tubimeve në mbarë botën të enjten, në njëmujorin e nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Ai tha se bota duhet ta ndalë Rusinë
  • Shtetet e Bashkuara thanë se kanë përcaktuar se pjesëtarë të forcave të Rusisë kanë kryer krime lufte gjatë pushtimit të Ukrainës, deklaroi më 23 mars Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken
  • Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ushtarake do të rrisë praninë e saj në shtetet e Evropës Lindore. Ai njoftoi se do të dërgohen trupa shtesë në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani.
  • SHBA-ja pritet të njoftojë për sanksionet e reja kundër Rusisë më 24 mars, kur presidenti amerikan, Joe Biden të takohet me liderët e NATO-s. Më 23 mars, Biden arriti në Bruksel, ku përveç takimit me NATO-n do të takohet edhe me udhëheqësit e Bashkimit Evropian me të cilët do të diskutojë për luftën në Ukrainë
  • Forcat ukrainase kanë kryer kundërsulme ndaj forcave ruse në disa qytete dhe është raportuar se kanë arritur të rimarrin territor në perëndim të kryeqytetit, Kiev
  • Kryetari i Kievit tha se pothuajse i gjithë territori i qytezës Irpin – që gjendet 20 kilometra nga Kievi – është nën kontrollin e forcave ukrainase
  • Forcat ruse kanë vazhduar bombardimin e qytetit të rrethuar të Mariupolit, banorët e së cilit kanë mbetur pa ujë, rrymë dhe ushqim. Vlerësohet se 90 për qind e qytetit është dëmtuar apo shkatërruar
  • Dërgesa armësh nga SHBA-ja pritet të arrijnë në Ukrainë brenda ditësh, thanë zyrtarët amerikanë

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG