Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
23:40 23.3.2022

Zelensky bën thirrje për tubime në mbarë botën më 24 mars

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një video-adresimi, u bëri thirrje qytetarëve në mbarë botën që të protestojnë të enjten, në njëmujorin e nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

“Lufta e Rusisë nuk është vetëm luftë kundër Ukrainës. Kuptimi i saj është shumë më i gjerë”, tha Zelensky teksa foli në gjuhën angleze.

“Rusia ka nisur luftë kundër lirisë”, tha ai dhe shtoi: “Për Rusinë, ky është vetëm fillimi”.

“Rusia po tenton të mposht lirinë e të gjithë popullsisë të Evropës, e të gjithë popullsisë së botës”.

“Është munduar që të tregojë se vetëm forca ka rëndësi”, shtoi ai.

Zelenksy tha se “bota duhet ta ndalë Rusinë. Bota duhet ta ndalë luftën”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të mbarë botës që të enjte të dalin në rrugë për të marshuar, duke bartur simbolet ukrainase.

“Dilni në sheshet dhe rrugët tuaja. Bëjeni veten të dukshëm dhe që të dëgjohet zëri juaj. Thoni se njerëzit kanë rëndësi, liria ka rëndësi, paqja ka rëndësi. Ukraina ka rëndësi”, tha ai.

23:33 23.3.2022

Agjencia e OKB-së bën thirrje për veprim të menjëhershëm për sigurinë bërthamore të Ukrainës

Kreu i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për mbikëqyrje bërthamore, Rafael Grossi, sërish ka bërë thirrje që urgjentisht të dërgohen ekspertë dhe pajisje në Ukrainë, që të ofrohet siguri për ndërtesat bërthamore ukrainase dhe të parandalohet rreziku për ndonjë aksident të rëndë.

Grossi tha se mbetet shumë i shqetësuar lidhur me situatën në Ukrainë.

Ai tha se shpreson që do të arrihet një marrëveshje për ndihmën teknike, në mënyrë që centralet bërthamore në Ukrainë të operojnë në mënyrë të sigurt. Por, ai tha se ende nuk është arritur një zgjidhje pozitive për këtë çështje.

“Ne nuk mund të humbim më shumë kohë”, tha ai. “Ne duhet të veprojmë tani”, shtoi Grossi.

Centralet bërthamore të Ukrainës kanë 15 rekatorë, por edhe Çernobilin, centralin bërthamor ku më 1986 ka ndodhur aksidenti më i rëndë bërthamor në botë.

Centrali i çmontuar i Çernobilit dhe centrali bërthamor në Zaporizhja aktualisht janë nën kontrollin e forcave ruse.

Centrali i Çernobilit.
Centrali i Çernobilit.

23:27 23.3.2022

Rezoluta ruse nuk kalon në OKB

Një rezolutë e përpiluar nga Rusia ka dështuar që të miratohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta bënte thirrje për qasje të ndihmës në Ukrainë. Por, në të nuk përmendej roli i Moskës në luftën në Ukrainë.

Rusia dhe Kina ishin të vetmet anëtare të Këshillit të Sigurimit që votuan për këtë rezolutë, ndërkaq 13 anëtarët e tjerë abstenuan.

Një rezolutë tjetër humanitare, e përpiluar nga Ukraina, pritet të hedhet në votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në ditët në vijim.

Një takim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 27 shkurt 2022.
Një takim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 27 shkurt 2022.

23:24 23.3.2022

Dërgesat me armë nga SHBA-ja do të arrijnë në Ukrainë brenda ditësh

Dërgesa e parë me armë për Ukrainën, që është premtuar nga ligjvënësit amerikanë në paketën e fundit të ndihmës së miratuar në SHBA, do të arrijë në Ukrainë në ditën e ardhshme apo pas dy ditësh, tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes për agjencinë Reuters.

Ky zyrtar nuk pranoi të tregojë se çfarë lloj armësh do të përfshihen në këtë dërgesë. Por, ai shtoi se armë që veçse përdoren nga trupat ukrainase, do të jenë prioritet për t’u dërguar në këtë shtet.

“Ne tashmë po grumbullojmë stoqet në SHBA dhe po përgatitemi t’i dërgojmë atje”, tha ky zyrtar.

Ushtarët ukrainas duke hedhur raketa kundërtanke Javelin. Raketa të tilla SHBA-ja i ka dërguar Ukrainës më herët gjatë këtij viti.
Ushtarët ukrainas duke hedhur raketa kundërtanke Javelin. Raketa të tilla SHBA-ja i ka dërguar Ukrainës më herët gjatë këtij viti.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG