Shkatërrimi në Mariupol
Një video e incizuar me dron tregon shkatërrimin e gjerë në qytetin-port ukrainas të Mariupolit. Këto pamje u publikuan në rrjetet sociale më 22 mars dhe tregojnë ndërtesa banimi të shkatërruara nga bombardimet ruse. Mijëra civilë mbeten të bllokuar në Mariupol, qytet që është rrethuar nga forcat ruse.
Kryetari i Kievit: Pothuajse gjithë territori i Irpinit është nën kontrollin ukrainas
Pothuajse i gjithë territori i qytezës së Irpinit – që ka qenëskenë e luftimeve të ashpra gjatë javëve të fundit – është nën kontrollin ukrainas, tha kryetari i Kievit.
Më herët gjatë marsit, mijëra banorë u larguan nga Irpini që gjendet vetëm 20 kilometra në veriperëndim të Kievit.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, u tha gazetarëve se forcat ukrainase kanë zmbrapsur trupat ruse nga Irpini, por edhe nga Makariv, qytezë në perëndim të Kievit.
Ai tha se forcat ukrainase kanë “shkatërruar planin që të bëhet rrethimi i Kievit”.
Sipas Klitschko, po ka sulme në veri dhe lindje të qytetit. Ai u përgjigj në pyetjen e gazetarëve lidhur me shpërthimet që po duket se po ndodhin shumë pranë qendrës së Kievit, duke thënë se “ata kurrë nuk do të vijnë në Kiev”.
Ai po ashtu e cilësoi si “propagandë” pretendimin e Rusisë se qendra tregtare në Kiev, që u bombardua të hënën, po përdorej si depo armësh.
Momentet e humanizmit gjatë një muaji lufte në Ukrainë
Gjatë një muaji dhune në Ukrainë, ka pasur edhe momente të emocioneve të fuqishme, të mirësisë dhe të dashurisë, nga njerëzit e ikur nga lufta dhe nga ata që përpiqeshin t’iu ndihmonin atyre.
Zelensky u bën thirrje kompanive franceze të mos bëjnë biznes me Rusinë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje kompanive franceze që të heqin dorë nga biznesi me Rusinë, duke thënë se ato nuk duhet të sponsorizojnë “makinën e luftës” së Moskës, ashtu siç kanë bërë shumë kompani perëndimore, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Gjatë një video-adresimi para Parlamentit francez më 24 mars, Zelensky tha se “kompanitë franceze duhet të heqin dorë nga tregu rus”.
"Renault, Auchan, Leroy Merlin dhe kompani të tjera duhet të ndalojnë së sponsorizuari makinën ruse të luftës”, tha ai.
Zelensky i tha Parlamentit francez se imazhet e qyteteve të shkatërruara ukrainase, siç janë ato të Mariupolit “të kujtojnë rrënojat e Verdunit, siç janë edhe fotografitë nga Lufta e Parë Botërore që të gjithë i kanë parë”.
“Ushtria ruse nuk bën asnjë dallim midis objektivave. Ata shkatërrojnë zona të banueshme, spitale, shkolla dhe universitete”, tha ai.
Kompania e makinave Renault, që pjesërisht është në pronësi të shtetit, muajin e kaluar ka pezulluar prodhimin në një fabrikë pranë Moskës, por që nga ajo kohë është raportuar se kjo kompani ka rifilluar prodhimin.
Ndërkaq, kompanitë e tjera të mëdha franceze si Auchan, Leroy Merlin dhe Decathlon, nuk kanë bojkotuar Rusinë, ashtu siç kanë bërë kompanitë kryesore perëndimore.