Arrihet armëpushim lokal në Luhansk
Guvernatori i rajonit Luhansk në Ukrainën lindore tha se është arritur marrëveshja për një armëpushim lokal për evakuimin e civilëve të bllokuar nga luftimet.
Guvernatori Serhiy Gaidai tha në aplikacionin e mesazheve Telegram se armëpushimi do të hynte në fuqi në orën 9 të mëngjesit sipas orës lokale.
Mirëmëngjesi lexues të nderuar.
Këtu po e hapim blogun për të rejat lidhur me luftën në Ukrainë. Më poshtë mund të lexoni një nga zhvillimet e fundit në lidhje me krizën humanitare atje:
OKB do të shqyrtojë tri rezoluta për krizën humanitare në Ukrainë
Kombet e Bashkuara do të përballen me tri rezoluta të mërkurën, 23 mars, lidhur përkeqësimin e situatës humanitare në Ukrainë.
Asambleja e Përgjithshme është planifikuar të fillojë të shqyrtojë dy rezoluta rivale të mërkurën në mëngjes - njëra e mbështetur nga Ukraina dhe vendet perëndimore që e bën të qartë se Rusia është përgjegjëse për krizën në rritje humanitare dhe tjetra e sponsorizuar nga Afrika e Jugut që nuk përmend Rusinë.
Ndërkaq, Këshilli i Sigurimit do të votojë për rezolutën e tretë, e cila është e sponsorizuar nga Rusia dhe e kritikuar gjerësisht se nuk i referohet pushtimit të Ukrainës.
Lexues të nderuar, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejt të ngjarjeve në Ukrainë. Do të rikthehemi sërish nga ora 07:00.
Ndërkaq, më poshtë mund të mësoni ngjarjet kryesore që ndodhën në ditën e 27-të të luftës në Ukrainë:
- Zyrtarët ukrainas në Mariupol thanë se ky qytet i rrethuar, po vazhdon të jetë cak i bombardimeve të vazhdueshme, teksa luftimet në rrugët e Mariupolit po vazhdojnë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nuk ka “mbetur asnjë” në Mariupol, “vetëm rrënoja”
- Presidenti amerikan, Joe Biden, do të udhëtojë në Evropë të mërkurën për të biseduar me liderët e NATO-s dhe BE-së për luftën në Ukrainë. Gjatë kësaj vizite, është paralajmëruar se do të prezantohen sanksione të reja ndaj Rusisë
- Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia mund të përdorë armë bërthamore vetëm nëse ka një kërcënim ekzistencial ndaj shtetit. Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të jetë duke u përgatitur që në luftën në Ukrainë të përdorë armë kimike dhe biologjike
- Banorët e qytetit të rrethuar të Mariupolit po përballen me kushte të rënda, teksa nuk kanë qasje në ujë, ushqim, rrymë dhe ilaçe. Kryediplomati grek, Nikos Dendias, propozoi që ai të udhëheqë një mision për dërgimin e ndihmës humanitare në këtë qytet, dhe tha se ai është i gatshëm që personalisht të marrë pjesë në dërgimin e kësaj ndihme
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bisedoi me Papa Françeskun dhe sugjeroi që Vatikani mund të luajë rol ndërmjetësues në përfundimin e luftës.
- Ukraina pretendoi se ka vrarë mbi 15,000 ushtarë rusë që prej fillimit të luftës
Macron zhvillon biseda të ndara me Zelenskyn dhe Putinin
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe atë rus, Vladimir Putin, rreth kushteve të nevojshme për një marrëveshje të armëpushimit, tha Presidenca franceze.
Në deklaratën e lëshuar më 22 mars, Pallati Elize tha se “nuk është arritur marrëveshje”, por Macron “vazhdon të jetë i bindur për nevojën e vazhdimit të përpjekjeve të tij” dhe se ai “qëndron përkrah Ukrainës” në betejën kundër pushtimit rus.
Pallati Elize tha se në bisedën midis Macronit dhe Putinit u bisedua për “kushtet e sigurisë dhe për çështjet thelbësore”, por nuk u dhanë detaje të tjera.
Rusia ka konfirmuar se Putini ka biseduar me Macronin. Moska ka thënë se dy liderët kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre lidhur me situatën në Ukrainë dhe për bisedimet midis negociatorëve rusë dhe ukrainas. As Rusia nuk ka dhënë detaje të tjera të kësaj bisede.
Macron është një prej liderëve më aktivë perëndimorë në zhvillimin e bisedave telefonike me Putinin dhe Zelenskyn, që prej nisjes së pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës më 24 shkurt.
Ai i është bashkuar partnerëve perëndimorë në mbështetje të Kievit dhe ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Qeverisë ruse dhe shumë entiteteve dhe individëve rusë.
Presidenti francez ka vizituar Moskën dhe Kievin në fillim të shkurtit, para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës.