Peskov: Rusia do të përdorte armë bërthamore vetëm në rast të një kërcënimi ekzistencial
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia do të përdorte armë bërthamore vetëm nëse shteti do të përballej me një kërcënim ekzistencial.
I pyetur nga CCN nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do ta konsideronte mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore, Peskov tha:
“Ne kemi një koncept të sigurisë së brendshme dhe ky koncept është publik, ju mund t’i lexoni të gjitha arsyet e përdorimit të armëve bërthamore. Pra, nëse ka një kërcënim ekzistencial për shtetin tonë, atëherë [arsenali bërthamor] mund të përdoret në përputhje me konceptin tonë”.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Zelensky pritet t’i adresohet samitit të NATO-s më 24 mars
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do t’i adresohet gjatë kësaj jave samitit të liderëve të NATO-s që do të mbahet në Bruksel, raportoi Interfax Ukraine.
Kjo agjenci e lajmeve ka cituar zëdhënësin e Zelenskyt, Serhiy Nykyforov, të ketë thënë se Ukraina do të “marrë pjesë në mënyrë aktive” në samit, i cili do të mbahet më 24 mars.
“Së paku, ky do të jetë një adresim i presidentit, dhe në më së shumti mund të jetë pjesëmarrje e plotë, natyrisht përmes video-formatit”, tha Nykyforov.
“Formati i pjesëmarrjes do të bëhet i ditur në ditët në vijim”, shtoi ai.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Mediat ruse: Putin dhe Macron kanë biseduar për Ukrainën
Mediat ruse po raportojnë që Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Biseda ishte iniciuar nga Franca, raportoi media Ria Novosti, e cila është në pronësi të shtetit rus. Ndërkaq, agjencia Interfax tha se dy liderët kanë biseduar për bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.
Autoritetet në Paris ende nuk e kanë konfirmuar këtë bisedë, por dy liderët para dhe pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, kanë zhvilluar një sërë bisedimesh.
Banorët e rrethuar të Mariupolit në luftë për mbijetesë
Teksa forcat ruse po vazhdojnë ta godasin qytet-portin jugor ukrainas të Mariupolit, rreth 300,000 banorë të ngujuar po luftojnë për mbijetesë. Ushqimet po harxhohen, ndërsa në qytetin e rrethuar nga pushtuesit rusë nuk ka as ujë e as rrymë. Njerëzit e strehuar nëpër bodrume të ftohta shfrytëzuan një pezullim të bombardimeve për të nxjerrë gjësende nga shtëpitë e tyre të shkatërruara dhe për t’i varrosur të afërmit e vrarë.