SHBA: Ukrainën e presin ditë të vështira
Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, tha do të ketë “ditë të vështira” me të cilat do të përballet Ukraina në vijim.
Sullivan foli me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, para se presidenti amerikan, Joe Biden, të niset për në Bruksel të mërkurën.
SHBA-ja dhe aleatët do të prezantojnë paketa të reja të sanksioneve kundër Rusisë të enjten, kur presidenti të mbajë bisedime, tha Sullivan.
Sullivan tha po ashtu se SHBA-ja nuk ka parë asnjë dëshmi se Kina po i ofron armë Rusisë.
Nga Brukseli, Biden do të udhëtojë në Varshavë të Polonisë, që gjendet në kufi me Ukrainën.
Biden të mërkurën udhëton për në Evropë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të mërkurën do të udhëtojë në Evropë, për të diskutuar me liderët evropianë dhe aleatët e NATO-s për luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Nesër do të udhëtoj në Evropë për t’u takuar me aleatët dhe partnerët tanë, fiks një muaj pasi Putini intensifikoi luftën e tij brutale në Ukrainë”, shkroi Biden në rrjetin social Twitter.
Biden gjatë qëndrimit në Evropë do të takohet me liderët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ai po ashtu pritet të takohet me krerët e Polonisë, shtet që deri më tani ka pranuar më së shumti refugjatë nga Ukraina.
“Hiri i një toke të vdekur”
Qyteti i rrethuar i Mariupolit po përballet me bombardime të vazhdueshme teksa forcat ruse po dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta marrë kontrollin e qyteti, pasi Ukraina refuzoi që të dorëzohet, thanë zyrtarët ukrainas të martën.
Këshilli i qytetit tha se sulmet e vazhdueshme po e shndërrojnë Mariupolin në “hi të një toke të vdekur”. Agjencia ruse e lajmeve RIA tha se forcat ruse dhe njësitet e separatistëve që mbështeten nga Moska, kanë marrë kontrollin e gjysmës së qytetit.
Mijëra persona besohet se kanë mbetur të bllokuar në Mariupol dhe banorë kanë mbetur pa qasje në ushqim, ujë, energji elektrike dhe ngrohje.
“Asgjë nuk ka mbetur asgjë atje. Vetëm rrënoja”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një adresimi përmes video-lidhjes në Parlamentin italian gjatë së martës.
Ndërkaq, zëvendëskryetari i qytetit, Sergei Orlov i tha CNN-it se qyteti ishte i rrethuar plotësisht se ndihma humanitare nuk po arrin atje.
“Qyteti është nën bombardime të vazhdueshme, nga 50 deri në 100 bomba nga avionët rusë lëshohen çdo ditë... shumë vdekje, shumë të qara, shumë krime të tmerrshme të luftës”, tha ai.
Zyrtari perëndimor: 10,000 ushtarë të vrarë rusë, vlerësim i arsyeshëm
Shifra e 10,000 ushtarëve të vrarë rusë gjatë luftës në Ukrainë “është një vlerësim i arsyeshëm”, tha një zyrtar perëndimor.
Kjo shifër ishte shfaqur në një ueb-faqe pro Kremlinit, por më pas u hoq. Drejtuesit e kësaj faqeje thanë se ajo kishte qenë cak i sulmeve kibernetike.
Por, zyrtari perëndimor tha se një numër i tillë i humbjeve do të nënkuptonte se edhe 30-40,000 trupa ruse janë plagosur.
“Kjo është një humbje e madhe për forcat ruse”, tha ky zyrtar.
Ai shtoi se Rusia ende “ka shumë fuqi luftarake” dhe mund ta vazhdojë konfliktin edhe për një kohë.
“Ky nivel i viktimave nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha zyrtari.
Ndërkaq, sa i përket moralit të forcave ruse dhe gatishmërisë së tyre për të vazhduar luftën në situatën ku po luftojnë në zonat civile “në një shtet sllav, është diçka që ne po e vëzhgojmë me kujdes. Ky është një konflikt në një shkallë tjetër”, tha zyrtari.