Britania thotë se i ka ofruar Ukrainës mbi 4,000 sisteme kundërtanke
Mbretëria e Bashkuar i ka furnizuar forcat ukrainase me mbi 4,000 sisteme kundërtanke për t’i ndihmuar “në rezistencën e tyre kundër agresionit rus”, tha Ministria e Mbrojtjes.
Përmes rrjetit social Twitter, kjo ministri tha se pajisjet e dërguara ishin të tipit NLAW.
Ministria e Mbrojtjes po ashtu ka folur për atë që e ka përshkruar si “propagandë ruse”, që duket se i referohet imazheve të publikuara nga disa rusë që e kanë pyetur Sekretarin britanik të Mbrojtjes, Ben Wallace, lidhur me pretendimet e programit të armëve bërthamore për Ukrainën, dhe duke sugjeruar se Mbretëria e Bashkuar nuk kishte furnizime të mjaftueshme me sisteme kundërajrore.
Por, Ministria e Mbrojtjes tha se “ka mjaftueshëm sisteme të armëve për të mbrojtur edhe sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar dhe për të mbajtur zotimet ndaj NATO-s”.
Tenisti ukrainas e lë raketën për ta rrokur pushkën
Në vitin 2013, ai shkaktoi njërën ndër befasitë më të mëdha në historinë e tenisit, duke eliminuar kampionin në fuqi, Roger Federer, nga turneu Wimbledon. Sot, tenisti ukrainas, Sergiy Stakhovksy, është luftëtar vullnetar në një patrullë ushtarake në Kiev, të cilin ai zotohet se do ta mbrojë “deri në fund” përballë forcave ruse. Kanë kaluar mbi dy javë prej kur ai është rikthyer në Ukrainë dhe i është bashkuar brigadës territoriale, të përbërë nga vullnetarë që për detyrë kanë mbështetjen e ushtrisë kundër pushtimit rus, që ka filluar më 24 shkurt.
Ekspertja e luftës: Qëllimet ushtarake të Rusisë janë të paqarta
Pothuajse një muaj pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, synimet ushtarake ruse nuk janë të qarta, tha një studiuese e luftës.
Ruth Deyermont, nga Kolegji Mbretëror i Londrës, tha për BBC se është e qartë se synimet e para të Rusisë, ashtu siç priste presidenti rus, Vladirmir Putin, nuk janë arritur “dhe në një farë mënyre nuk mund të arrihen tash”.
Ajo tha se sigurimi i një lidhjeje tokësore mes Rusisë dhe rajonit jugor ukrainas të Krimesë – që u aneksua nga Rusia më 2014 – duket se është fokusi kryesor i Rusisë.
Megjithatë, ajo shtoi se bazuar në analizat e Qeverisë britanike dhe analistëve të tjerë, Rusisë do t’i duhet të bëjë përpjekje për të sulmuar Kievin dhe për ta rrëzuar Qeverinë ukrainase.
Por, ajo shtoi se “është e vështirë që kjo të ndodhë tani”.
Guterres bën thirrje që të përfundojë “lufta absurde” e Rusisë në Ukrainë
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri thirrje që t’i jepet fund “luftës absurde” të nisur nga Rusia në Ukrainë.
Ai paralajmëroi të martën se konflikti “nuk po shkon asgjëkund, shpejt” dhe se populli ukrainas “po përjeton ferr”.
“Vazhdimi i luftës në Ukrainë është moralisht e papranueshme, politikisht e papërligjshme dhe ushtarakisht absurde”, u tha Guterres gazetarëve.