Përshëndetje për të gjithë ju që përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë!
Disa nga zhvillimet kryesore për luftën në Ukrainë janë:
- “Ne jemi në prag të mbijetesës”, u tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deputetëve italianë, të cilëve iu drejtua përmes video-lidhjes.
- Zelensky bisedoi edhe me Papa Françeskun dhe sugjeroi që Vatikani mund të luajë rol ndërmjetësues në përfundimin e luftës.
- Kryetari i qytetit Borispill, pranë Kievit, u tha banorëve që “të largohen sa më parë që është e mundur”, pasi luftimet me forcat ruse janë duke u afruar.
- Mbi 15,000 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tha Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës. REL nuk ka mundur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto shifra.
- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të jetë duke u përgatitur për përdorimin e armëve kimike dhe biologjike në Ukrainë.
- Forcat ruse duket se janë “bllokuar në vend”, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, derisa forcat ukrainase “vazhdojnë t’i zmbrapsin” përpjekjet e tyre për të pushtuar qytetin jugor të Mariupolit.
Navalny: Putin ka frikë nga e vërteta
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka "frikë nga e vërteta", tha të martën kritiku kryesor i tij vendas, Alexei Navalny.
"Putin ka frikë nga e vërteta, këtë e kam thënë gjithmonë. Luftimi i censurës, përcjellja e së vërtetës te populli i Rusisë kanë qenë gjithmonë prioritetet tona", tha udhëheqësi i opozitës në një postim në Instagram.
Ai i bëri komentet pasi një gjykatë ruse e shpalli fajtor për "përvetësim" dhe "përbuzje të gjykatës" dhe e dënoi me nëntë vjet burg.
Navalny është në burg për më shumë se një vit, nën akuza të ndryshme, të cilat ai i cilëson si të motivuara politikisht.
Për më shumë, lexoni këtu.
Izraeli hap spital fushor në perëndim të Ukrainës
Izraeli ka hapur një spital fushor me 66 shtretër në qytetin Mostiska, në perëndim të Ukrainës, që do të drejtohet nga 65 mjekë dhe infermierë izraelitë.
Spitali mund të trajtojë deri në 150 pacientë në të njëjtën kohë, njoftoi spitali Shiba pranë Tel Avivit.
Izraeli ka pasur tradicionalisht marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Ukrainën, por është kritikuar nga Kievi për mosdërgimin e pajisjeve ushtarake.
Spitali ushtarak, i quajtur “Shining Star”, synon t’i ndihmojë refugjatët pranë kufirit me Poloninë. Sipas drejtorit Joel Har-Even, një pjesë e madhe e stafit mjekësor kanë rrënjë ukrainase.
Gjibraltari kap super-jahtin e një oligarku rus
Një super-jaht në pronësi të një miliarderi të sanksionuar rus është konfiskuar nga autoritetet e Gjibraltarit, tha sekretari i Transportit i Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps.
“Axioma” i përket oligarkut Dmitry Pumpyansky.
Pumpyansky udhëheq një kompani për prodhimin e tubave të çelikut, e cila furnizon gjigantin rus të gazit “Gazprom”.
Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë sanksione kundër Pumpyanskyt javën e kaluar, duke e vlerësuar pasurinë e tij neto në 2.44 miliardë dollarë.
Sanksionet e saj zbatohen edhe në territoret jashtë shtetit të Mbretërisë së Bashkuar, duke përfshirë Gjibraltarin.