Përshëndetje të nderuar lexues. Nëse tani i jeni kyçur në blogun tonë, këto janë zhvillimet kyçe të ditës së 25-të të luftës në Ukrainë:
Akuza për krime lufte dhe gjenocid: Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e ka akuzuar Rusinë për krime lufte gjatë rrethimit të qytetit jugor të Mariupolit. Ai tha se terrori në Mariupol do të mbahet mend me shekuj. Ndërkaq, zëvendëskryeministrja ukrainase, Olha Stefanishyna, akuzoi palën ruse për kryerje të akteve të “gjenocidit” gjatë pushtimit rus. Ajo tha se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe liderët në Kremlin, “janë kriminelë lufte”.
Bombardimi i shkollës: Zyrtarët ukrainas thanë se një shkollë arti në qytetin e rrethuar të Mariupolit, që përdorej si strehimore, është bombarduar nga forcat ruse. Sipas këshillit të qytetit, afër 400 persona po strehoheshin në shkollën, e cila u tha se është shkatërruar. Ende nuk dihet nëse ka viktima nga ky sulm, por autoritetet ukrainase thanë se njerëzit janë të bllokuar nën rrënoja.
Raketa hipersonike: Për herë të dytë, Rusia tha se ka përdorur raketa hipersonike në sulmet në Ukrainë. Ministra ruse e Mbrojtjes tha se sistemi i raketave Kinzhal me raketa balistike ka shkatërruar një depo të madhe të karburanteve të Forcave të Armatosura ukrainase pranë vendbanimit Kostinatinivka në rajonin Mikolaiv.
Vrasja e oficerit të marinës: Ukraina pretendoi se ka vrarë Andrey Paliy, kapiten i rangut të parë në marinën ruse. Ai u tha se u vra gjatë luftimeve të ashpra. Nëse ky lajm konfirmohet, atëherë Paliy do të ishte zyrtari i parë i lartë i marinës ruse i vrarë gjatë luftës në Ukrainë.
Afër marrëveshjes: Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se Ukraina dhe Rusia janë afër arritjes së një marrëveshjeje për çështje “kritike”. Ai nuk tregoi se për çfarë çështjesh bëhet fjalë, por tha se një armëpushim mund të arrihet nëse palët nuk bëjnë hapa prapa nga pozicionet e tyre aktuale.
“Në anën e duhur të historisë”: Kina, që nuk e ka dënuar pushimin rus të Ukrainës, tha se sa i përket kësaj lufte, Pekini është “në anën e duhur të historisë”. Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, tha se koha do ta dëshmojë se pozicioni i Kinës ka qenë i duhuri.
Franca nuk përjashton sanksionet ndaj sektorit energjetik të Rusisë
Sanksionet ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë po dëmtojnë ekonominë ruse dhe presidentin Vladimir Putin, tha të dielën ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.
Le Maire shtoi se ndalesa e importeve të naftës dhe gazit rus në Bashkimin Evropian, vazhdon të jetë një opsion për Parisin.
“Sanksionet po e dëmtojnë shtetin rus dhe po e dëmtojnë Vladimir Putinin”, tha Bruno Le Maire gjatë një interviste për televizionin LCI.
“A duhet të ndërpresim menjëherë blerjen e naftës ruse, apo duhet të presim edhe pak dhe të ndalojmë importin e gazit rus? Presidenti [i Francës, Emmanuel Macron] asnjëherë nuk i ka përjashtuar këto mundësi”, tha ai.
Ukraina thotë se ka vrarë një oficer të lartë të marinës ruse
Ukraina pretendoi se ka vrarë një oficer të lartë të marinës ruse. Stafi i Përgjithshëm i Ukrainës shkroi në Facebook se kapiteni i rangut të parë, Andrey Paliy, u vra nga forcat ukrainase gjatë luftimeve të ashpra, edhe pse rrethanat rreth vrasjes së tij janë të paqarta.
Moska ende nuk ka komentuar lidhur me këto pretendime të Ukrainës, ndërkaq ky informacion nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Paliy ishte zëvendëskomandant i flotës së Detit të Zi të Rusisë dhe besohet se është oficeri i parë i marinës që është vrarë gjatë pushimit rus të Ukrainës, që ka nisur më 24 shkurt.
Ukraina pretendon se pothuajse 15,000 ushtarë rusë janë vrarë
Zyrtarët e ushtrisë ukrainase kanë pretenduar se pothuajse 15,000 ushtarë rusë janë vrarë që prej nisjes së luftës më 24 shkurt.
Në një postim të publikuar në llogarinë në Facebook të Stafit të Përgjithshëm të Ukrainës, zyrtarët thanë se 14,700 trupa ruse janë vrarë në 25 ditët e luftës.
Po ashtu, Ukraina pretendoi se një numër i madh i pajisjeve ushtarake ruse janë shkatërruar përfshirë rreth 476 tanke, mbi 200 avionë, helikopterë e dronë dhe rreth 1,487 makina të blinduara.
Këto shifra të paraqitura nga autoritetet ukrainase nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, megjithatë zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë vlerësuar se të paktën 7,000 trupa ruse janë vrarë në luftime dhe 21,000 të tjerë janë plagosur.