Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
08:26 20.3.2022

Lexues të nderuar, nëse tani jeni kyçur në blogun tonë lidhur me luftën në Ukrainë, këto janë ngjarjet kryesore që kanë ndodhur deri më tani në ditën e 25-të të pushtimit rus të Ukrainës.

  • Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rrethimi i qytetit të Mariupolit do të mbahet mend për shekuj me radhë, duke thënë se përfshin krime lufte të kryera nga forcat ruse
  • Zyrtarët ukrainas thanë se në Mariupol, Rusia ka bombarduar një shkollë ku strehoheshin 400 civilë
  • Në orët e para të mëngjesit të 20 marsit, sirena për sulme ajrore janë dëgjuar në Kiev, Sumi, Mikolaiv, Poltava, Harkiv, Çerkasi, Odesa dhe Zaporizhja
  • Ushtria ukrainase tha se forcat ruse po rigrupohen dhe po riparojnë pajisjet e dëmtuara në vend se të nisin ofensiva të reja
  • Zyrtarët lokalë thanë se janë evakuuar 71 fëmijë nga një jetimore në Sumi
  • Inteligjenca britanike tha se Rusia po dështon që të marrë kontrollin e hapësirës ajrore ukrainase, që sipas zyrtarëve britanikë, ka qenë objektivi primar i Rusisë
08:15 20.3.2022

Zyrtarët ukrainas: Rusia ka sulmuar një shkollë që strehonte 400 persona

Këshilli i qytetit të Mariupolit tha se forcat ruse kanë bombarduar një shkollë ku 400 persona po strehoheshin.

Sulmi u tha se ka ndodhur të shtunën.

Në një postim në Telegram, këshilli i qytetit tha se ndërtesa e shkollës është shkatërruar dhe se banorët janë nën rrënoja. Sipas zyrtarëve, gra, fëmijë dhe të moshuar kanë qenë duke u strehuar në këtë shkollë.

Ende nuk ka njoftime për viktimat e mundshme nga ky sulm.

Për shkak të vështirësive në komunikim me qytetin e rrethuar të Mariupolit, ky lajm nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

08:04 20.3.2022

Analiza e Institutit për Studime të Luftës për pushtimin rus të Ukrainës

Rusia ka bërë vetëm përparim të kufizuar në pushtimin e saj të Ukrainës gjatë ofensivës fillestare, tha Instituti për Studime të Luftës. Kjo organizatë me seli në Shtetet e Bashkuara, ka bërë një vlerësim lidhur me suksesin e ofensivës fillestare ruse.

Këto janë disa nga gjetjet kryesore:

  • Po krijohen kushtet që lufta në pjesën më të madhe të Ukrainës të kthehet në një bllokadë që mund të zgjasë me javë ose muaj të tërë
  • Sa më shumë të zgjasë kjo bllokadë, aq më vdekjeprurës mund të bëhet
  • Grupet e vogla të trupave ruse janë të fokusuara në luftime të lokalizuara sesa në nisjen e operacioneve në shkallë të gjerë
  • Nëse bie Mariupoli nën kontrollin e rusëve, ka pak gjasa që Rusia të ketë më shumë trupa për të zhvilluar një fushatë më të gjerë për shkak të shkallës së dëmit të shkaktuar nga luftëtarët ukrainas
  • Forcat ruse me gjasë do ta marrin kontrollin e Mariupolit ose do ta detyrojnë qytetin që të kapitullojë në javët në vazhdim
  • Rusët me gjasë i kanë braktisur planet që ta rrethojnë Kievin nga perëndimi apo ta sulmojnë qytetin nga perëndimi në një të ardhme të afërt
  • Në vend të kësaj, ata me gjasë po dëshirojnë të krijojnë kushte për të vazhduar bombardimet me artileri dhe raketa në Kiev, duke tentuar që ta godasin qendrën e qytetit
  • Mbështetja e vazhdueshme për Kievin nga shtetet perëndimore do të jetë jetike
07:55 20.3.2022

Australia njofton për ndihmë shtesë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, më 20 mars bëri të ditur për ndihmën shtesë ushtarake humanitare dhe ushtarake që shteti i tij do t’i japë Ukrainës, teksa njoftoi se do të vendosë ndalesë të menjëhershme në eksportet ruse të aluminit dhe mineraleve të aluminit.

“Është e qartë se nevoja e Ukrainës për ndihmë ushtarake mbetet urgjente dhe do të vazhdojë”, tha zyra e Morrison përmes një deklarate për media.

Ndihma ushtarake: Paketa përfshin 15.3 milionë dollarë amerikanë në ndihmë të mbrojtjes ushtarake për Forcat e Armatosura ukrainase, duke e sjellë në 66.3 milionë dollarë ndihmën ushtarake të ofruar nga Australia.

Morrison tha se ndihma do të përfshijë municion dhe pancirë.

Ndihma humanitare: Qeveria australiane tha se do të dhurojë 21.8 milionë dollarë amerikanë ndihmë humanitare që do të përqendrohet në “mbrojtjen e grave, fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG