Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
07:42 20.3.2022

Ushtria ukrainase: Rusia po tenton të rigrupohet

Ushtria ukrainase tha të dielën se në vend se të nisin ofensiva të reja, forcat ruse gjerësisht janë të fokusuara në riparimin e pajisjeve të dëmtuara dhe humbjeve të tyre.

Ushtria po ashtu akuzoi Rusinë se “qëllimisht po krijon kushte për krizë humanitare” në zonat ku forcat e saj kanë marrë territorin nën kontroll, duke parandaluar që konvojet me ndihmë të arrinin në Herson të shtunën mbrëma.

Ndërkaq, në një postim të mëhershëm, ushtria pretendoi se ka riparuar linjën e mbrojtjes në disa zona në jug dhe tha se ka ndaluar me sukses ofensivën ruse pranë Iziumit, që gjendet në lindje të Ukrainës.

Tanke të shkatërruara ruse në rajonin ukrainas Sumi. 7 mars 2022.
Tanke të shkatërruara ruse në rajonin ukrainas Sumi. 7 mars 2022.

07:36 20.3.2022

Guvernatori: 71 fëmijë janë evakuuar nga një jetimore në Sumi

Shtatëdhjetenjë fëmijë nga një jetimore në verilindje të Ukrainës janë evakuuar pasi për dy javë me radhë ishin strehuar në një bodrum për shkak të granatimeve ruse.

Jetimët, shumica prej të cilëve janë me aftësi të kufizuara dhe që të gjithë nën moshën katërvjeçare, u shpëtuan nga jetimorja në Sumi dhe u larguan nga zona e luftës përmes një korridori humanitar, tha guvernatori rajonal i Sumit, Dmytro Zhyvytsky.

“Për pothuajse dy javë ne i kemi mbajtur këta fëmijë në strehimore të bombave”, tha ai përmes një postimi në Facebook.

“Këta fëmijë janë pa prindër dhe shumica prej tyre kanë nevojë për përkujdes të vazhdueshëm mjekësor”, shtoi Zhyvytsky.

Ai shtoi se kanë gjetur persona nga shtetet e tjera që janë treguar të gatshëm t’i strehojnë këta fëmijë, të cilët aktualisht gjenden nën përkujdesjen e specialistëve në një spital në Kiev.

Fëmijët refugjatë ukrainas rrëfejnë tmerret e luftës
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:05:48 0:00

07:26 20.3.2022

Britania: Rusia po dështon që të marrë kontrollin e hapësirës ajrore ukrainase

Rusia po dështon që të marrë kontrollin e hapësirës ajrore ukrainase, që është një prej objektivave të saj primar, tha Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Në përditësimin e fundit të informacioneve të inteligjencës britanike, thuhet se Rusia “ka dështuar të marrë kontrollin e ajrit" dhe kryesisht po mbështetet në armët që lëshohen nga hapësira ruse.

“Marrja e kontrollit të hapësirës ajrore ishte një prej objektivave primar të Rusisë në ditët e para të konfliktit dhe dështimi i tyre i vazhdueshëm për ta arritur këtë ka ngadalësuar ndjeshëm progresin e tyre operacional”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.

06:59 20.3.2022

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Po e rifillojmë mbulimin e ngjarjeve në luftën në Ukrainë, që ka hyrë në ditën e 25-të.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet ruse ndaj qytetit të rrethuar të Mariupolit janë “akte terrori” që do të “mbahen mend për shekuj me radhë”.

Përmes një video-mesazhi të postuar në orët e para të së dielës, presidenti ukrainas tha se Mariupoli do të mbahet mend në histori si shembull i krimeve të luftës.

“T’ia bësh këtë një qyteti paqësor, atë që pushtuesit e bënë, është terror që do të mbahet mend për shekuj me radhë”, tha ai.

Ai u tha ukrainasve se negociatat me rusët nuk janë “as të thjeshta as të këndshme, por janë të nevojshme”.

Në adresimin e tij drejtuar kombit, presidenti ukrainas tha se të shtunën ka biseduar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, lidhur me kursin e bisedimeve me Rusinë.

“Ukraina gjithmonë ka kërkuar zgjidhje paqësore. Për më tepër, ne jemi të interesuar për paqe tani”, tha ai.

Qyteti-port i Mariupolit është rrethuar nga trupat ruse dhe banorët e mbetur të bllokuar kanë mungesa të mëdha të ujit dhe ushqimit, teksa janë përballur me bombardime të vazhdueshme. Të shtunën u raportua se trupat ruse kanë depërtuar brenda qytetit dhe se pati luftime edhe në qendër të këtij qyteti.

Autoritetet lokale në Mariupol kanë thënë se disa mijëra banorë të këtij qyteti janë dëbuar në territorin rus.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG