Kievi i bëri thirrje Kinës që të dënojë pushtimin rus të Ukrainës
Ukraina i ka bërë thirrje Kinës që t’i bashkohet Perëndimit në “dënimin e barbarizmit rus” në Ukrainë.
“Kina mund të jetë pjesë e rëndësishme e sistemit global të sigurisë nëse merr vendimin e duhur për të mbështetur koalicionin e vendeve të qytetëruara dhe për të dënuar barbarizmin rus”, shkroi në Twitter këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Mikhail Podoljak.
Podoljak është gjithashtu një nga pjesëmarrësit në negociatat ukrainase-ruse për armëpushim.
Rusia filloi pushtimin në Ukrainë më 24 shkurt.
Rusia mohon që astronautët bartin ngjyrën e verdhë si mbështetje për Ukrainës
Agjencia ruse e hapësirës ka hedhur poshtë raportet e mediave perëndimore që sugjerojnë se kozmonautët rusë që iu bashkuan Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) zgjodhën të veshin kostume të verdha me zbukurime blu në mbështetje të Ukrainës.
“Ndonjëherë e verdha është vetëm e verdhë”, tha shërbimi për shtyp i Roscosmos në kanalin e tij Telegram.
“Kostumet e fluturimit të ekuipazhit të ri janë bërë me ngjyrat e stemës së Universitetit teknik shtetëror Bauman të Moskës, në të cilin të tre kozmonautët u diplomuan... Të shohësh flamurin ukrainas kudo dhe në gjithçka është çmenduri”.
Drejtori i përgjithshëm i Roscosmos, Dmitry Rogozin deklaroi në kanalin e tij personal në Telegram se kozmonautët rusë nuk kanë simpati për nacionalistët ukrainas.
Rusia, më 24 shkurt, pushtoi Ukrainën, e cila ka një flamur kaltër-verdhë.
Zelensky për zviceranët: Ngrini llogaritë e oligarkëve rusë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Qeverisë së Zvicrës që të ngijë llogaritë bankare të të gjithë oligarkëve rus.
Transmetuesi publik zviceran SRF raportoi se Zelensky, i cili të shtunën, përmes një video-lidhjeje iu drejtua mijëra protestuesve kundër luftës në qytetin zviceran të Bernës, tha se “bankat tuaja kanë fondet e njerëzve që filluan këtë luftë. Ndihmoni luftën kundër kësaj”.
SRF gjithashtu raportoi se presidenti ukrainas kritikoi konglomeratin shumëkombësh zviceran të ushqimit Nestle, i cili ndryshe nga shumë kompani të tjera ndërkombëtare, vendosi të mos tërhiqet nga Rusia, tani për tani.
Ukraina evakuoi 190,000 civilë nga zonat e luftës
Ukraina ka evakuuar 190,000 civilë nga zonat e luftës, përmes korridoreve humanitare, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, tha zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk, raporton Reuters.
Ajo tha se korridoret në Kiev dhe rajonin e Luhanskut funksionuan të shtunën, por se korridori i planifikuar deri te qyteti port i rrethuar lindor, Mariupol, ishte vetëm pjesërisht funksional dhe trupat ruse nuk i lejuan autobusët të kalonin.