Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
12:16 19.3.2022

Polonia i propozon BE-së ndalimin e plotë të tregtisë me Rusinë

Polonia i ka propozuar Bashkimit Evropian që të vendosë një ndalesë të plotë të tregtisë me Rusinë, tha më 19 mars kryeministri polak, Mateus Morawiecki.

Ai u bëri thirrje të gjitha shteteve të bllokut evropian që të vendosin sanksione më të ashpra ndaj Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës.

“Polonia po propozon që të shtohet bllokada e tregtisë në këtë paketë të sanksioneve sa më shpejt që të jetë e mundur, përfshirë edhe në portet detare... por, po ashtu ndalesë në tregtinë që bëhet përmes transportit rrugor. Shkëputja e plotë e tregtisë me Rusinë do ta shtyjë Rusinë që ta shqyrtojnë mundësinë se është më mirë që ta ndalë këtë luftë mizore”, tha Morawiecki.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

11:43 19.3.2022

Klitschko kërkon armë për ta mbrojtur hapësirën ajrore ukrainase

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të vazhdojnë ta furnizojnë me armë Ukrainën, teksa ky shtet po lufton kundër Rusisë.

“Ju lutem, na mbështesni”, tha ish-boksieri gjatë një interviste dhënë të shtunën për të përditshmen italiane, Corriere della Sera.

Ai u bëri thirrje aleatëve evropianë dhe NATO-s që të dërgojnë armë esenciale për të mbrojtur hapësirën ajrore mbi Kiev.

“Ne jemi në gjendje që ta mbyllim vetë hapësirën tonë ajrore”, tha Klitscho.

“Por, neve definitivisht na duhen armët e duhura”, shtoi ai.

NATO vazhdimisht ka refuzuar që të krijojë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, duke u thirrur në frikën se kjo mund të çojë në një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak midis Rusisë dhe Perëndimit.

Sipas Klitscho, Kievi deri më tani ka regjistruar mbi 200 civilë të vrarë, ndërkaq afër 2 milionë banorë ende gjenden në qytet.

“Mos harroni se ne po mbrojmë shtetin tonë, por në të njëjtën kohë po mbrojmë vlerat thelbësore të demokracisë evropiane. Mesazhi im është i qartë: ju lutem ndaloni çdo marrëdhënie ekonomike me Rusinë sepse [presidenti rus, Vladimir] Putin po përdor çdo euro për të forcuar ushtrinë e tij, që po marshon drejt nesh”, tha ai.

11:30 19.3.2022

Ukraina pretendon se mbi 14,000 ushtarë rusë janë vrarë

Tanke të shkatërruara ruse në rajonin ukrainas Sumi. 7 mars 2022.
Tanke të shkatërruara ruse në rajonin ukrainas Sumi. 7 mars 2022.


Stafi i përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase pretendoi se mbi 14,000 trupa ruse janë vrarë gjatë tri javëve të para të pushtimit rus të Ukrainës.

Përmes një postimi në Facebook, zyrtarët ukrainas thanë se afër 14,400 ushtarë rusë janë vrarë.

Në këtë postim po ashtu u tha se Moska ka humbur pajisje ushtarake, përfshirë 1,470 transportues të blinduar, 60 tanke dhe mbi 100 avionë luftarakë dhe helikopterë.

Këto pretendime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur, edhe pse burimet e inteligjencës perëndimore kanë sugjeruar se afër 7,000 trupa janë vrarë dhe midis 14,000 dhe 21,000 të tjerë janë plagosur.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

10:47 19.3.2022

Kryetari i Mariupolit: Luftimet po pengojnë evakuimin e civilëve

Kryetari i Mariupolit tha se luftimet në rrugët në qendër të qytetit po pengojnë përpjekjet për të shpëtuar qindra persona që gjenden të bllokuar në bodrumin e teatrit, që u bombardua nga Rusia të mërkurën.

Kryetari i Mariupolit, Vadym Boychenko, tha se ekipet e shpëtimit po arrijnë të largojnë rrënojat dhe të largojnë qytetarët, vetëm kur po ndërpriten luftimet.

“Ka tanke... dhe granatime me artileri, dhe po luftohet me të gjitha llojet e armëve në këtë zonë”, tha ai.

“Forcat tona po bëjnë gjithçka që është e mundur për të mbajtur pozicionin e tyre në qytet, por fatkeqësisht forcat e armikut janë në numër më të madh”, shtoi ai.

Ai tha se nuk mund të japë një numër se sa persona kanë arritur që të largojnë nga zona gjatë 24 orëve të fundit.

Të premten, autoritetet thanë se 130 persona kanë arritur të largohen nga teatri që u bombardua, e që përdorej si strehim nga civilët. Në momentin e bombardimit, sipas autoriteteve ukrainase, mbi 1,000 persona kanë qenë në ndërtesë, por bodrumi i teatrit nuk është prekur nga sulmi.

Rusia mohon se ka bombarduar këtë ndërtesë.

Boychenko po ashtu tha se 40,000 persona kanë arritur të largohen nga qyteti në pesë ditët e fundit, ndërkaq 20,000 të tjerë po presin që të evakuohen.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG