Guvernatori: Në Luhansk do të hapet një korridor humanitar
Guvernatori i rajonit lindor ukrainas, Luhansk, tha se më vonë gjatë të shtunës në këtë rajon do të hapet një korridor për evakuim.
Në një postim në Telegram, Serhiy Gaiday, tha se forcat ruse janë pajtuar që të lejojnë banorët të evakuohen në disa qytete në rajon pas orës 09:00 sipas kohës lokale, por ai nuk specifikojë se në cilat vende do të evakuohen qytetarët.
“Rusët po vazhdojnë të grasatojnë qytetet tona”, shkroi Gaiday.
“Megjithatë, ne të gjithë po presim deri në ora 09:00, kur ‘regjimi i heshtjes’ duhet të hyjë në fuqi, në mënyrë që të evakuojmë qytetarët e rajonit, të sjellim ushqime, ujë dhe ilaçe për ata që do të qëndrojnë këtu”.
“Për hapjen e korridorit humanitar ka pasur pajtim në nivel të lartë. Shpresoj që marrëveshjet e arritura të respektohen nga rusët”, shtoi ai.
Ukraina thotë se ka vrarë një gjenerallejtënant rus
Një anëtar i ushtrisë ruse është vrarë në qytetin ukrainas Çernobaievka pas sulmeve me artileri, tha të shtunën Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës përmes një postimi në Facebook.
Në njoftim thuhet se gjenerallejtënant Andrei Mordivchev, komandant i qarkut jugor të Forcave të Armatosura ruse ka vdekur.
Në njoftimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës po ashtu thuhet se vija e frontit të luftës nuk ka ndryshuar ndjeshëm në 24 orët e fundit, por u shtua se trupat ukrainase kanë arritur të shkatërronin disa kolona me personel ushtarak rus në rajonet Mikolaiv dhe Sumi.
Këto pretendime të palës ukrainase nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Ish-presidentët Clinton dhe Bush shprehin mbështetjen e tyre për Ukrainën
Ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton dhe George W. Bush kanë vizituar një kishë ukrainase në Çikago për të shprehur mbështetjen e tyre për popullin ukrainas.
Ata kanë vendosur lule me fjongo ngjyrë të kaltër dhe të verdhë [ngjyrat e flamurit të Ukrainës] në Kishën e Shën Volodimirit dhe Kishën Katolike Olha.
Ish-presidenti Bush ka shkruar në një postim të ndarë në Twitter se “Amerika qëndron në solidaritet me popullin e Ukrainës teksa ata luftojnë për lirinë dhe të ardhmen e tyre”.
Ukraina: Kemi shkatërruar 12 caqe ajrore ruse
Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se mbrojtja e tyre ajrore ka shkatërruar të paktën 12 caqe ajrore ruse: dy avionë, tre helikopterë, tre dronë dhe katër raketa.
Ndërkaq, mediat lokale kanë cituar kreun e këshilltarëve të Presidencës së Ukrainës të ketë shtuar se forcat e armatosura po ashtu kanë goditur gjashtë bazën ajrore Çornobaivka, ku Rusia ka vendosur flotën e saj.
Këto pretendime të palës ukrainase nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.