Psaki: Nuk ka trupa amerikane brenda Ukrainës
Shtëpia e Bardhë minimizoi kërcënimet e bëra nga Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov kundër ndihmës materiale që vjen në Ukrainë pasi presidenti amerikan Joe Biden u zotua të dërgojë më shumë se 800 milionë dollarë ndihmë në fushën e sigurisë.
Të premten, Lavrov tha se çdo dërgesë armësh që hyn në Ukrainë do të jetë një objektiv "legjitim" për Rusinë.
“Ky është një kërcënim që ai e ka bërë më parë”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki gjatë një konference për shtyp të premten, duke shtuar se "nuk ka trupa amerikane që veprojnë brenda Ukrainës”.
Të premten, mbi 9.000 të evakuuar nga luftimet në Ukrainë
Gjithsej 9,145 njerëz u evakuuan nga qytetet e Ukrainës përmes korridoreve humanitare të premten, tha një zyrtar i lartë. Ky është një përmirësim në krahasim me një ditë më parë kur u evakuuan pak më shumë se 3,800 njerëz.
Zëvendësshefi i Shtabit të Presidentit të Ukrainës, Kirilo Tymoshenko, tha se 4,972 njerëz ishin larguar nga Mariupoli, qytet ky i rrethuar.
Rreth 400,000 njerëz janë bllokuar në qytetin strategjik për më shumë se dy javë.
FAKT: Më shumë se 3.9 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.
SHBA: Armët për Ukrainën janë vetëm për mbrojtje
Asnjë nga armët që Shtetet e Bashkuara po i dërgojnë Ukrainës nuk mund të përdoren për të nisur një sulm ndaj një vendi tjetër, tha Shtëpia e Bardhë të premten, duke theksuar se ato janë të destinuara për qëllime mbrojtëse.
Rrëfimi i Dallkut për shokët e mbetur në Ukrainë
Derisa jemi duke raportuar drejtpërsëdrejti për luftimet në Ukrainë, po sjellim tek ju edhe njëherë rrëfimin e ish-futbollistit kosovar, Armend Dallku, i cili tha se po përcjell me shqetësim dhe dhembje luftën ruse në Ukrainë.
Dallku, i cili për më shumë se një dekadë ka jetuar në këtë vend dhe ka luajtur për ekipe futbolli atje, thotë se ka shokë e miq në Ukrainë, që po rrezikohen nga sulmet ruse. Ky material është realizuar nga gazetari i Radios Evropa e Lirë, Taulant Qenaj dhe kameramani, Bujar Tërstena. Fillimisht është publikuar me 12 mars.