Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
15:01 18.3.2022

Cilat janë zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë?

Shkatërrohet centrali për riparim të aeroplanëve: Rusia ka nisur disa raketa afër aeroportit ndërkombëtar të Lvivit, në perëndim të Ukrainës, duke shkatërruar një central për riparim të aeroplanëve, kanë thënë autoritetet lokale. Lvivi është qytet afër kufirit polak dhe është konsideruar strehë e sigurt për mijëra refugjatë

Bombardohen qytete tjera: Disa qytete janë përballur po ashtu me sulme ajrore. Në qytetin lindor Harkiv, një ndërtesë universiteti dhe dy blloqe të banesave janë bombarduar, duke lënë të vdekur një person dhe dy plagosur 11 të tjerë. Më në jug, në Kramatorsk, dy persona janë vrarë dhe gjashtë janë plagosur në një sulm me raketa. Në kryeqytetin ukrainas, Kiev, një person është vrarë pasi një raketë e rrëzuar ka shpërthyer në një lagje banimi

Shtrëngohet laku në Mariupol: Rusia ka thënë se separatistët në lindje të Ukrainës, me ndihmën e forcave të armatosura, janë duke “shtrënguar lakun” rreth qytetit të Mariupolit, në jug të Ukrainës. Mijëra civilë besohet se janë të bllokuar atje

Shpëtohen disa të mbijetuar nga teatri: Autoritetet ukrainase kanë thënë se kanë nisur të dalin civilët e parë nga një teatër i bombarduar nga forcat ruse. Ata janë futur në bodrumin e teatrit për t’iu ikur sulmeve ruse. Deri më tani besohet se janë shpëtuar 130 persona

Dy milionë njerëz kalojnë kufirin me Poloninë: Garda kufitare e Polonisë ka thënë që më shumë se dy milionë refugjatë nga Ukraina kanë kaluar kufirin, shumica prej tyre gra dhe fëmijë

Bullgaria dhe vendet baltike dëbojnë diplomatë rusë: Bullgaria ka dëbuar 10 diplomatë rusë, duke thënë se ata kanë kryer aktivitete që konsiderohen në mospërputhje me statusin e tyre diplomatik. Ndërkohë, Letonia dhe Estonia kanë thënë se do të dëbojnë nga tre diplomatë rusë, derisa Lituania u kanë thënë katër rusëve që të largohen nga shteti. Moska është zotuar se do të përgjigjet

Britania bllokon RT-në: Rregullatori britanik, Ofcom, i ka hequr licencën kanalit rus, që financohet nga shteti, RT

“Abuzim pervers i pushtetit": Papa Françesku e ka quajtur luftën në Ukrainë si “abuzim pervers të pushtetit”, e cila i ka dënuar njerëzit e pambrojtur me dhunë

14:38 18.3.2022

Vendet baltike dëbojnë diplomatë rusë

Letonia dhe Estonia kanë thënë se do të dëbojnë nga tre diplomatë rusë, derisa Lituania u kanë thënë katër rusëve që të largohen nga shteti.

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevics, ka thënë në Twitter se Riga është duke dëbuar tre punëtorë të Ambasadës ruse “në lidhje me aktivitete që janë në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik, dhe duke marrë parasysh agresionin e vazhdueshëm rus në Ukrainë”.

“Ky vendim është koordinuar me Lituaninë dhe Estoninë”, ka thënë ai.

Estonia ka thënë se tre diplomatëve, që u ka kërkuar të largohen, “kanë qenë duke minuar sigurinë e Estonisë dhe duke përhapur propagandë për të arsyetuar veprimet ushtarake të Rusisë".

14:13 18.3.2022

Papa Françesku: Lufta në Ukrainë, "abuzim pervers i pushtetit”

Papa Françesku e ka quajtur luftën në Ukrainë si “abuzim pervers të pushtetit”, e cila i ka dënuar njerëzit e pambrojtur me dhunë.

“Tragjedia e luftës që është duke ndodhur në zemër të Evropës na ka lënë neve të shokuar”, ka thënë ai.

Papa nuk e ka përmendur Rusinë gjatë fjalimit të tij, mirëpo ka shfrytëzuar frazat si “agresion i armatosur i papranueshëm”.

Deklarata e tij ka ardhur në një mesazh dërguar Kishës Katolike në Bratislavë, e cila ka hapur dyert për refugjatët.

13:52 18.3.2022

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG