OKB: Kriza humanitare është duke u rritur në mënyrë eksponenciale
Nevojat humanitare në Ukrainë janë “duke u rritur në mënyrë eksponenciale”, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR).
Matthew Saltmarsh, nga kjo Agjenci, ka thënë se situata do të vazhdojë të përkeqësohet nëse nuk i jepet fund luftës.
Shumë njerëz vazhdojnë të jenë të bllokuar në zonat ku po përshkallëzohet konflikti, pa kushte elemente, përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet, për shkak të pengimit të dërgesave.
Ai ka thënë se situata është veçanërisht e vështirë në jug, ku qytetet ukrainase janë të rrethuara nga trupat ruse.
“Situata humanitare në qytetet si Mariupol dhe Sumi është jashtëzakonisht e vështirë, pasi banorët po përballen me mungesa kritike të ushqimit, ujit dhe ilaçeve”, ka thënë ai.
Saltmarsh ka thënë se Kombet e Bashkuara janë duke vëzhguar negociatat për korridore të sigurta dhe se janë të gatshme të dërgojë furnizime në Sumi “aq sa lejojnë kushtet”.
Ukraina: 130 të shpëtuar pas sulmit në teatër
Komisionarja për të Drejta të Njeriut në Ukrainë, Lyudmyla Denisova ka thënë se 130 persona janë shpëtuar nga rrënojat e një teatri të goditur nga një sulm ajror rus në Mariupol.
Qindra persona kanë qenë duke u strehuar në bodrum kur teatri është bombarduar nga Rusia, kanë thënë autoritetet ukrainase.
Në një adresim televiziv, Lyudmyla Denisova, ka thënë se puna për kërkim-shpëtim është duke vazhduar edhe se 1,300 persona besohet se janë ende në bodrum.
Britania lëshon 6,500 viza nën skemën e re për ukrainasit
Rreth 6,500 viza janë lëshuar nga autoritetet britanike për refugjatët ukrainas, në skemën e re për banorët që i ikin luftës në Ukrainë.
Një ditë më parë, autoritetet britanike kanë lëshuar 6,100 viza.
Qeveria britanike ka krijuar edhe një skemë tjetër – Shtëpi për Ukrainën – për njerëzit që duan të strehojnë refugjatë.
Qeveria britanike është përballur me kritika – përfshirë nga deputetët e saj – për shpejtësinë dhe shkallën e përgjigjes ndaj krizës që ka shkaktuar pushtimi rus në Ukrainë.
Biden: Putin është “diktator vrasës”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka quajtur presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, “diktator vrasës” dhe “bandit të vërtetë”, teksa ka folur në “Drekën e Miqve të Irlandës”.