Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
13:02 18.3.2022

Bullgaria dëbon 10 diplomatë rusë

Bullgaria është duke dëbuar 10 diplomatë rusë, duke thënë se ata kanë kryer aktivitete që konsiderohen në mospërputhje me statusin e tyre diplomatik.

Ministria e Jashtme bullgare ka thënë përmes një deklarate më 18 mars se u ka dhënë 10 diplomatëve 72 orë për t’u larguar nga shteti.

Në deklaratë nuk janë dhënë hollësi për arsyet e dëbimit, mirëpo prej kur Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, ambasadori rus në Sofje ka bërë vazhdimisht deklarata kontradiktore rreth pozicionit të Bullgarisë në konflikt.

Ministria nuk ka thënë po ashtu se kush është në listën e të dëbuarve.

11:57 18.3.2022

Bombardimet pengojnë përpjekjet për shpëtim në teatrin e Mariupolit

Punëtorët për kërkim-shpëtim janë duke vazhduar gërmimet nën rrënojat e teatrit të Mariupolit, për të cilën zyrtarët ukrainas kanë thënë se është goditur nga një raketë ruse të mërkurën, 16 mars.

Qindra civilë besohet se kanë qenë në ndërtesë, e cila ka qenë e shënjuar si strehë për civilë.

Komunikimet janë të vështira në qytetin e rrethuar nga forcat ruse dhe autoritetet ende nuk kanë mundur të vlerësojnë sa ka të mbijetuar dhe viktima potenciale.

Kryetari i Mariupolit, Vadym Boychenko, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC, se operacioni i shpëtimit është duke vazhduar.

“Neve na duhet më shumë kohë. Qyteti është duke u bombarduar dhe ka ndërhyrje në operacionin e shpëtimit”.

11:42 18.3.2022

Scholz bisedon me Putinin dhe i kërkon armëpushim në Ukrainë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që të urdhërojë ndaljen e sulmit të Moskës në Ukrainë, dhe të mundësojë zgjidhje diplomatike, duke shmangur edhe katastrofën humanitare.

Zyra e Scholzit ka thënë përmes një deklarate se të dy liderët kanë folur në telefon për gati një orë lidhur me “luftën në Ukrainë dhe përpjekjet për t’i dhënë fund asaj”.

Nuk janë dhënë detaje tjera, mirëpo Kremlini ka thënë në një deklaratë tjetër se “pala ruse është e gatshme për të kërkuar zgjidhje, në përputhje me qasjet e saj parimore”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Prej sulmit të paprovokuar të Moskës në Ukrainë, më shumë se 187,000 persona kanë shkuar në Gjermani, ka thënë Ministria e Brendshme në Berlin.

Më shumë se dy milionë refugjatë kanë hyrë në Poloni dhe një pjesë e tyre më pas ka kaluar në shtetet tjera.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve në Moskë se Putin pritet të zhvillojë një bisedë telefonike edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron të premten.

11:25 18.3.2022

Raportohet për dy viktima pas sulmeve ajrore në Kramatorsk

Ka raportime se dy persona janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore në qytetin në lindje të Ukrainës, Kramatorsk.

Guvernatori rajonal, Pavlo Kyrylenko ka thënë se gjashtë persona janë plagosur në sulmin në një ndërtesë banimi dhe në një bllok administrativ.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG