Një i vrarë nga bombardimet në banesa dhe qendrën edukative në Harkiv
Një person është vrarë dhe 11 janë plagosur pas bombardimeve në një qendër edukative dhe ndërtesa banimi në Harkiv, kanë thënë shërbimet e emergjencës.
Sulmi ka dëmtuar rëndë “ndërtesën edukative”, bashkë me dy blloqe banimi, kanë thënë autoritetet.
Zjarrfikësit kanë arritur të ndalin zjarrin dhe janë duke punuar për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat.
Mbi dy milionë refugjatë kanë hyrë në Poloni
Garda Kufitare e Polonisë ka thënë se numri i refugjatëve që kanë hyrë në këtë shtet nga Ukraina - prej nisjes së pushtimit rus - ka kaluar shifrën dy milionë.
Ky numër është më i madh sesa popullsia e kryeqytetit polak, Varshavës.
Garda Kufitare ka thënë përmes një postimi në Twitter të premten se numri i refugjatëve që hyjnë në Poloni është duke u zvogëluar çdo ditë.
Sipas saj, 52,000 njerëz kanë kaluar kufirin në 24 orët e fundit.
“Shumica janë gra dhe fëmijë. Zyrtarët e Gardës janë polakët e parë që u ndihmojnë atyre pas kalimit të kufirit. Shumicën e kohës, shprehja e mbështetjes do të thotë shumë”, ka thënë Garda Kufitare.
Më shumë se 3 milionë njerëz kanë ikur prej luftës në Ukrainë, sipas Kombeve të Bashkuara.
Ende nuk është e qartë sa refugjatë janë tani në Poloni, pasi shumica prej tyre kanë udhëtuar drejt vendeve tjera.
Britania tërheq licencën për transmetuesin rus, RT
Rregullatori i mediave në Britani të Madhe, Ofcom, ka thënë se ka tërhequr licencën për kanalin televiziv të mbështetur nga Rusia, RT “me efekt të menjëhershëm”.
“Ne kemi vepruar kështu, pasi konsiderojmë se RT nuk është e përshtatshme për të pasur licencë në Britani”, ka thënë Ofcom përmes një deklarate më 18 mars.
Ofcom ka thënë se ka marrë këtë vendim teksa heton 29 raste për të analizuar paanshmërinë e mbulimit e të lajmeve të RT-së dhe mbulimin e drejtpërdrejtë të pushtimit rus në Ukrainë.
“Ne e konsiderojmë volumin dhe natyrën potencialisht serioze të çështjeve të ngritura në periudhën e fundit si shumë shqetësuese – sidomos duke marrë parasysh historikun, meqë kanali është gjobitur me 200,000 funta në të kaluarën për shkelje të lidhura me paanshmërinë”, është thënë në deklaratë.
Reuters ka cituar mediumin RT, të ketë thënë se është “gjykuar gabimisht” nga Ofcom.
Një person i vdekur në Kiev pas rrëzimit të raketës
Një person është vrarë në Kiev dhe katër tjerë janë plagosur pasi një raketë e rrëzuar ruse ka rënë në një ndërtesë banimi në pjesën veriore të Kievit, kanë thënë shërbimet e emergjencës.
Shërbimet kanë thënë se 12 persona janë shpëtuar dhe 98 tjerë janë duke u evakuuar nga ndërtesa pesëkatëshe në rajonin Podilski.
Në disa fotografi të shërbimeve të emergjencës janë parë zjarrfikës duke tentuar të kontrollojnë flakët në ndërtesë dhe në makinat në afërsi.
Sipas tyre, përpjekjet për kërkim-shpëtim janë duke vazhduar.