Ukraina: 14,200 ushtarë rusë të vrarë prej nisjes së luftës
Në ditën e 23-të të luftës, Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e fundit se 14,200 ushtarë rusë janë vrarë prej shpërthimit të konfliktit.
Si Ukraina, ashtu edhe Rusia prezantojnë të dhëna të ndryshme për fitoret dhe humbjet e palës tjetër.
Rusia ka pretenduar më 3 mars, se 498 trupa të saj janë vrarë në luftime, mirëpo prej atëherë nuk ka përditësuar të dhënat.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë të enjten se numri i viktimave ruse mund të jetë mbi 7,000 dhe i të plagosurve mbi 14,000.
Ukraina po ashtu ka pretenduar se ka shkatërruar 450 tanke ruse, 93 aeroplanë, 112 helikopterë dhe ka dëmtuar 43 sisteme kundërajrore.
Britania: Rusia ka bërë përparim minimal këtë javë
Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se forcat ruse kanë bërë “përparim minimal këtë javë”.
Në njoftimin e saj të mëngjesit është thënë se forcat ukrainase rreth Kievit dhe Mikollaivit “vazhdojnë të pengojnë përpjekjet ruse për të rrethuar qytetet”.
Sipas Ministrisë, qytetet Harkiv, Çernihiv, Sumi dhe Mariupol vazhdojnë të jenë të rrethuara nga forcat ruse dhe janë duke u përballur me bombardime të ashpra.
Mirëmëngjesi juve që na jeni bashkuar tani!
Ndër zhvillimet më të fundit rreth luftës në Ukrainë janë këto:
- Një objekt për mirëmbajtje të aeroplanëve, afër aeroportit të Lvivit, është goditur me raketa në mëngjes. Nuk është raportuar për viktima. Lvivi është qytet 70 kilometra larg kufirit me Poloninë dhe kryesisht larg zonave kyçe të betejës në lindje dhe jug të Ukrainës
- Zyrtarët amerikanë dhe ata britanikë kanë thënë se forcat ruse nuk kanë bërë avancime territoriale dhe mund të jenë duke u përballur me probleme logjistike
- Bombardimet kanë vazhduar në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, mirëpo forcat lokale kanë thënë se e kanë kontrollin e tij
- Autoritetet lokale kanë thënë se qyteti juglindor, Mariupol, vazhdon të sulmohet nga forcat ruse, mirëpo rreth 30,000 njerëz kanë arritur të ikin
- Të mbijetuarit e një sulmi në teatrin e Mariupolit janë duke u larguar nga rrënojat. Ukraina ka thënë se objekti është bombarduar nga Rusia
- Zyrtarët kanë thënë që më shumë se 1,000 ukrainas janë evakuuar nga rajoni i Kievit gjatë natës, me autobusë dhe makina
- Presidenti amerikan, Joe Biden pritet të paralajmërojë homologun e tij kinez, Xi Jinping se do të ketë “kosto” mbi Kinën, nëse shpëton Rusinë nga sanksionet e Perëndimit. Ata do të zhvillojnë një bisedë telefonike më vonë gjatë ditës
Kryetari i Lvivit: Nuk ka raportime për viktima
Kryetari i qytetit të Lvivit, Andriy Sadovyi, ka thënë se nuk ka raportime për viktima pasi një ndërtesë është goditur më herët nga disa raketa.
Ai ka thënë në Telegram se ndërtesa ka qenë një objekt për mirëmbajtje të aeroplanëve, dhe se puna në të është ndalur më herët.
Savovyi ka thënë se punëtorët e emergjencës janë aktualisht në atë zonë.