Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
07:53 18.3.2022

Australia dhe Japonia prezantojnë sanksione të reja

Australia dhe Japonia kanë shtuar sanksionet ndaj Moskës.

Kanberra ka shtuar miliarderët rusë, Oleg Deripaska dhe Viktor Vekselberg, si dhe 11 banka dhe subjekte qeveritare në listën e saj të sanksioneve.

“Me përfshirjen e Bankës Qendrore të Rusisë, Australia tani ka shënjestruar të gjitha subjektet e mundshme të Qeverisë ruse, të cilat janë përgjegjëse për menaxhimin e borxhit sovran të Rusisë”, ka thënë ministrja e Jashtme kanadeze, Marise Payne përmes një deklarate.

Ndërkohë Tokio ka sanksionuar 15 rusë tjerë dhe nëntë organizata, duke përfshirë kompaninë shtetërore të eksportimit të armëve, Rosoboronexport.

07:45 18.3.2022

Çfarë dimë për situatën në Lviv?

Pak më parë është raportuar se një ndërtesë afër aeroportit të Lvivit është goditur me raketë.

Lvivi është 70 kilometra larg kufirit me Poloninë dhe kryesisht larg prej betejës që po zhvillohet në lindje dhe jug të Ukrainës.

Në këtë zonë nuk është raportuar për bombardime deri pesë ditë më parë, kur një sulm ka goditur qendrën për stërvitje ushtarake në Javoriv, 30 kilometra larg Lvivit.

Ky qytet është konsideruar deri më tani “strehë e sigurt”, pasi shumë ukrainas nga qytetet e bombarduara janë nisur drejt tij.

Disa media kanë raportuar se ky mund të jetë tentim i forcave ruse “për të ndalur furnizimet me armë në këtë shtet”, pasi ato kryesisht hyjnë në Ukrainë përmes Polonisë.

07:36 18.3.2022

Kanë vazhduar evakuimet nga rajoni i Kievit

Shërbimet shtetërore të emergjencës në Ukrainë kanë thënë se edhe gjatë natës kanë vazhduar evakuimet nga rajoni i Lvivit.

Më shumë se 1,000 ukrainas janë larguar deri në mesnatë me autobusë dhe makina, kanë thënë zyrtarët ukrainas.

Sipas tyre, të evakuuarit tani janë në një “vend të sigurt”.

07:25 18.3.2022

Në Sumi mund të hapen korridoret humanitare

Kryetari i rajonit të Sumit – në verilindje të Ukrainës – ka thënë se të premten mund të hapen korridoret humanitare në këtë shtet.

Autobusët mund të dërgohen në qytet për t’iu ndihmuar njerëzve që të largohen nëpër gjashtë rrugë të ndryshme.

Sumi, qytet afër kufirit me Rusinë, është përballur në javët e fundit me bombardime të ashpra, dhe mungesë të ujit e rrymës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG