Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
07:10 18.3.2022

Kryetari i Lvivit: Është goditur ndërtesa afër aeroportit

Kryetari i qytetit të Lvivit, Andriy Sadovy, ka thënë në llogarinë e tij në Telegram se aeroporti nuk është goditur, por një ndërtesë afër tij.

“Definitivisht nuk është aeroporti”, ka shkruar ai.

Nëse konfirmohet se ky ka qenë sulm rus, atëherë ai përbën sulmin më të afërt në qytetin historik të Lvivit, prej shpërthimit të luftës.

07:01 18.3.2022

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Po e rinisim transmetimin e drejtpërdrejtë për zhvillimet e lidhura me luftën në Ukrainë.

Raportohet për shpërthime në zonën e aeroportit afër Lvivit.

Sipas stacionit televiziv Ukraine 24, të premten janë dëgjuar shpërthime në pjesë të ndryshme të Lvivit, qytet në perëndim të Ukrainës.

Në llogarinë e tij në Telegram, televizioni ka publikuar një video në të cilën shihet tym i zi në horizont të qytetit.

Gazetari ukrainas Ostap Yarysh, nga Zëri i Amerikës, ka thënë se ka dëgjuar disa shpërthime.

Të dielën, një sulm në bazën ushtarake afër qytetit – dhe afër kufirit polak – ka lënë të vdekur të paktën 35 persona.

23:05 17.3.2022

Lexues të nderuar, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejt të ngjarjeve në Ukrainë. Do të rikthehemi nga ora 07:00.

Ndërkaq, më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të ngjarjeve kryesore që ndodhën sot:

  • Të paktën 21 persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën, kur forcat ruse bombarduan të enjten në mëngjes një qytet në Ukrainën lindore, njoftuan autoritetet ukrainase.
  • Ekipet e Emergjencave kanë vazhduar kërkimet për të mbijetuar nën rrënojat e teatrit të shkatërruar në Mariupol.
  • Ministri ukrainas i Mbrojtjes ka kërkuar që të gjithë ta quajnë Putinin kriminel lufte.
  • Autoritetet në Mariupol thanë se deri në 90 për qind e ndërtesave në qytet janë shkatërruar nga bombardimet e përditshme të qytetit nga forcat ruse.
  • Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të enjten pushtimi rus i Ukrainës ka qenë një “shok” për aleancën e NATO-s.
  • OKB tha se fëmijëve ukrainas po u mohohet fëmijëria​ si pasojë e luftës.
  • Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis tha se e “Putini duhet të mposhtet në Ukrainë”, që sipas tij do të rezultonte me “fundin e putinizmit”.
  • Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të enjten se një shtetas amerikan u vra në Ukrainë në mes të pushtimit të vazhdueshëm rus.
  • Autoritetet në Mariupol thonë se rreth 30,000 njerëz janë larguar nga qyteti që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.
  • OBSH ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.
  • Kryeministri i Republikës Çeke, Petr Fiala, ka thënë se vendi i tij nuk mund të pranojë më refugjatë nga Ukraina.
  • Italia është e gatshme të rindërtojë teatrin e shkatërruar të Mariupolit, i cili u shkatërrua nga një sulm me bombë.
23:02 17.3.2022

Italia e gatshme ta rindërtojë teatrin e Mariupolit

Italia është gatshme të rindërtojë teatrin e shkatërruar të Mariupolit, i cili u shkatërrua nga një sulm me bombë, tha Ministri i Kulturës Dario Franceschini.

Sipas autoriteteve ukrainase, teatri u bombardua nga Rusia, ku ishin të strehuar shumë civilë.

“Kabineti qeveritar ka miratuar propozimin tim për t’i ofruar Ukrainës rindërtimin e teatrit sa më shpejt të jetë e mundur. Teatrot e të gjitha vendeve i përkasin të gjithë njerëzimit”, shkroi Franceschini në Twitter.

Presidenti ukrainas”, Volodymyr Zelensky e falënderoi po ashtu në Twitter.

“Ju keni dhënë një shembull të mirë për t’u ndjekur. Së bashku do ta rindërtojmë vendin deri në tullën e fundit”, tha Zelensky.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG