Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
22:49 17.3.2022

Ish-kryetari i Melitopolit tregon detaje të kidnapimit

Ish-kryebashkiaku i Melitopolit, që u lirua të enjten, ka folur për rrëmbimin e tij nga forcat ruse.

Ivan Federov udhëhoqi qytetin juglindor, derisa forcat ruse e pushtuan.

Ai u lirua pasi Ukraina tha se kishte rënë dakord të shkëmbente nëntë ushtarë rusë të kapur për ta liruar Fderovin.

Federov tha për BBC-në se trupat ruse e morën atë nga zyra e tij dhe se ai nuk kishte asnjë lidhje me botën e jashtme derisa ishte në paraburgim.

Ai tha se ishte mbajtur në një dhomë të vogël me ushtarë të armatosur, por nuk ishte keqtrajtuar fizikisht.

Forcat okupuese në Melitopol, e kanë zëvendësuar Federovin me kryebashkiakun e tyre.

22:37 17.3.2022

Rreth 50 shtetas turq janë larguar nga Mariupoli

Sipas autoriteteve turke, rreth 30 qytetarë turq janë ende të strehuar në një xhami në Mariupol dhe 50 kanë arritur të largohen nga qyteti që është përballur me bombardime të rënda ruse për ditë të tëra.

“Tridhjetë turq mbeten në xhami, 50 janë larguar”, tha për AFP-në Ismail Hacioglu, një përfaqësues i xhamisë në Mariupol.

Ai tha se nuk kanë informacion për 70 shtetas të tjerë të Turqisë që jetojnë në Mariupol.

22:22 17.3.2022

Republika Çeke nuk mund të pranojë më refugjatë nga Ukraina

Kryeministri i Republikës Çeke, Petr Fiala, ka thënë se vendi i tij nuk mund të pranojë më refugjatë nga Ukraina, pasi po përballet me një fluks të madh njerëzish që ikin nga lufta.

Rreth 270,000 refugjatë nga Ukraina kanë mbërritur në Republikën Çeke që nga pushtimi rus muajin e kaluar.

Petr Fiala tha se qeverisë tashmë po i mbarojnë burimet, raporton Associated Press.

“Ne duhet të pranojmë se jemi në skajin kur mund t’i pranojmë këta refugjatë pa probleme”, tha Fiala.

Qeveria çeke ka në plan të lëshojë leje qëndrimi afatgjatë për refugjatët.

22:10 17.3.2022

Letonia i bashkohet thirrjeve për zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë

Pas parlamenteve të Estonisë dhe Lituanisë, parlamenti i Letonisë ka kërkuar gjithashtu krijimin e një zone të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.

Parlamenti në Riga, i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të ndërmarrin hapat e duhur për të mbrojtur jetët e njerëzve.

Në të njëjtën kohë, ligjvënësit nga vendi baltik i BE-së dhe NATO-s kërkuan që të merren masa sa më shpejt të jetë e mundur për të siguruar korridore të sigurta humanitare në territorin ukrainas.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG