OKB: Fëmijëve ukrainas po u mohohet fëmijëria
Fëmijëve në Ukrainë po u mohohet fëmijëria e tyre, tha një përfaqësues nga agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), për fëmijë, Unicef.
Joe English, i cili ndodhet në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, tha për BBC-në se Unicef ka verifikuar vdekjen e 50 fëmijëve që nga pushtimi i Rusisë.
“Ka të ngjarë që numri i vërtetë të jetë shumë më i madh”, tha ai.
Më herët, autoritetet ukrainase thanë se të paktën 107 fëmijë janë vrarë.
"Kjo nuk është një fëmijëri. Ne duhet t’u ofrojmë këtyre fëmijëve paqe dhe një mundësi për të filluar rindërtimin e jetës së tyre”, tha ai.
Kryeministri italian: Putini nuk dëshiron paqe
Presidenti rus, Vladimir Putin nuk dëshiron paqe dhe është e mundur që nevojiten sanksione të mëtejshme kundër Moskës, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, tha të enjten kryeministri italian Mario Draghi.
“Nga ana e Putinit nuk ka vullnet për paqe. Ekziston një vullnet për luftë”, u tha Draghi gazetarëve.
Schwarzenegger, popullit rus: Nuk po ju thuhet e vërteta
Arnold Schwarzenegger ka postuar një video-mesazh në Tëitter, përmes së cilës u ka kërkuar rusëve të tërhiqen nga narrativa pro-luftës të paraqitur nga qeveria ruse.
Në një video që zgjat më shumë se nëntë minuta - e cila ka mbi 3 milionë shikime - Schwarzenegger flet për dashurinë e tij për Rusinë dhe kujton udhëtimet e realizuar në Rusi.
Ylli i filmit dhe ish-guvernatori i Kalifornisë u thotë rusëve se “nuk po u thuhet e vërteta për pasojat e kësaj lufte” dhe i informon se “bombat po bien mbi civilët e pafajshëm”.
Macron: Pushtimi rus i Ukrainës ishte një "shok" për NATO-n
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të enjten pushtimi rus i Ukrainës ka qenë një “shok” për aleancën e NATO-s.
Macron shtoi se pushimi rus i dha NATO-s një qartësi të re strategjike që i mungonte.
Këto komente Macron i bëri duke folur para gazetarëve derisa nisi fushatën e tij për rizgjedhje.