Familja mbretërore e Belgjikës do të presë refugjatë ukrainas
Mbreti Philippe dhe Mbretëresha Mathilde e Belgjikës, kanë vendosur të presin refugjatë ukrainas.
Pallati Mbretëror Belg ka konfirmuar për BBC-në se dy shtëpi do të vihen në dispozicion për tri familje ukrainase.
Njëra prej shtëpive ndodhet në Bruksel dhe tjetra është në rajonin jugor të Wallonisë.
Deri më tani më shumë se 10,000 refugjatë ukrainas janë regjistruar në Belgjikë.
Autoritetet belge vlerësojnë se 200,000 ukrainas do të mbërrijnë në Belgjikë në javët e ardhshme.
Paralajmërohet se lufta në Ukrainë mund të godasë rritjen ekonomike
Lufta në Ukrainë mund të ngadalësojë rritjen ekonomike globale për më shumë se një pikë përqindjeje, në vitin e parë të pushtimit.
Sipas raportit më të ri të Organizatës për Zhvillim Ekonomik, lufta mund të shkaktojë “recesion të thellë” në Rusi.
Ndonëse Rusia dhe Ukraina përbëjnë përqindje të vogël në ekonominë globale, ato janë prodhuese të mëdha të lëndëve të para.
Sipas kësaj Organizate, konflikti mund të ndikojë në rritje globale të çmimeve për gati 2.5 për qind.
Çmimet veçse janë duke u rritur për shkak të rritjes së kërkesës, pas heqjes së kufizimeve për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Truss: Prova të fuqishme se Putin është “kriminel lufte”
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se “ekzistojnë prova të fuqishme” se presidenti rus, Vladimir Putin është “kriminel lufte”.
Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përshkruar liderin rus si të tillë, deklaratë që mund të përshkallëzojë marrëdhëniet diplomatike edhe më shumë.
Truss ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se nuk mendon që është gabim deklarata e Bidenit.
“Ka prova shumë, shumë të fuqishme se ai është”, ka thënë Truss.
“Ka prova shumë, shumë të fuqishme se krimet e luftës janë kryer, dhe se Vladimir Putin është mbrapa tyre.
“Është detyrë e Gjykatës Ndërkombëtare Penale të vendosë se kush është e kush jo kriminel lufte dhe gjëja më e mirë që mund të bëjmë tani është që të dërgojmë prova, diçka që jemi duke bërë”.