Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
13:09 17.3.2022

Çfarë është sistemi raketor që po vendos Britania në Poloni?

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se Britania do të vendosë sistemin raketor Sabre në Poloni, bashkë me 100 trupa ushtarake.

Ai ka thënë se ky vendim është marrë për të mbrojtur hapësirën ajrore polake nga “agresioni i mëtejmë i Rusisë”.

Polonia është anëtare e NATO-s dhe Mbretëria e Bashkuar edhe pjesë e saj po ashtu.

I përshkruar nga Mbretëria e Bashkuar si “sistemi më i ri për mbrojtje ajrore”, ai besohet se ka kapacitet për të goditur një objekt me madhësi të topit të tenisit që niset me shpejtësinë e zërit.

Sipas ushtrisë britanike, sistemi përfshin tre komponentë: një radar mbikëqyrjeje 3D, menaxhim të betejës - inteligjencë, si dhe një lëshues raketash.

Ky sistem mund të lëshojë raketa 99 kilogramëshe.

Sistemi i mundëson Polonisë që ta mbrojë veten nga aeroplanët luftarakë, raketat dhe bombat.

12:58 17.3.2022

Autoritetet lokale thonë se 107 fëmijë janë vrarë në Ukrainë

Të paktën 107 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 120 janë plagosur prej kur Rusia ka pushtuar Ukrainën, ka thënë Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Shumica e viktimave janë raportuar në Kiev, Harkiv, Donjeck, Çernihiv, Sumi, Herson, Mikollaiv dhe Zhitomir.

Mbi 410 institucione edukative janë dëmtuar nga bombardimet dhe 63 janë të shkatërruara plotësisht.

Të paktën 11 spitale besohet të jenë bombarduar, po ashtu.

12:50 17.3.2022

Stoltenberg: Nuk mund ta marrim paqen dhe sigurinë si të garantuar

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u ka thënë gazetarëve se “lufta e presidentit (rus, Vladimir) Putin ka shkundur paqen dhe ka shokuar botën”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Berlin.

Ai ka lavdëruar forcat e Kievit dhe është zotuar se do të vazhdojë mbështetja për to, “në mënyrë që të shfrytëzojnë të drejtën për vetëmbrojtje, siç e parasheh Karta e Kombeve të Bashkuara”.

Ai ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen ushtarake dhe atë humanitare për Ukrainën dhe ka thënë se “NATO-ja ka përgjegjësi për të parandaluar këtë luftë nga përshkallëzimi i mëtejmë”, si dhe ka paralajmëruar vendet anëtare të bllokut të sigurisë se “ne nuk mund të marrim si të garantuar paqen dhe sigurinë”.

“Dje, ministrat e Mbrojtjes kanë nisur të shqyrtojnë se çfarë duhet të bëjmë për të rritur mbrojtjen tonë në periudhë afatgjatë. Kjo gjë do të kërkojë rritje të madhe të investimeve në mbrojtje”, ka thënë Stoltenberg.

Ndërkohë, Scholz ka thënë se Gjermania ka rritur fondet për forcat e armatosura të saj, për të siguruar se “NATO është e gatshme të përmbushë detyrat dhe mandatin që ka”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

12:39 17.3.2022

Mbretëria e Bashkuar do të vendosë sistem raketor në Poloni

Mbretëria e Bashkuar do të vendosë sistemin raketor, Sky Sabre në Poloni, bashkë me 100 trupa ushtarake, ka thënë Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.

Më herët gjatë javës, të paktën 35 persona janë vrarë, si pasojë e sulmeve ruse në një bazë për stërvitje ushtarake në Javoriv.

Kjo bazë gjendet afër kufirit të Ukrainës me Poloninë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG