Kremlini refuzon vendimin e GJND-së për ndalje të pushtimit
Kremlini ka refuzuar urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të ndalur sulmet në Ukrainë, duke thënë se të dyja palët duhet të pajtohen për t’iu dhënë fund armiqësive në mënyrë që të zbatohet kërkesa.
Duke folur para gazetarëve më 17 mars, një ditë pasi Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur vendimin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve se “nuk mund të marrë parasysh këtë vendim”.
Gjykata ka marrë këtë vendim pasi Kievi ka ngritur një rast për pretendimet ruse se Ukraina po kryen gjenocid në shtet, gjë që ishte edhe një prej preteksteve të Rusisë për të nisur pushtimin më 24 shkurt.
Mirëpo sipas Peskovit, nuk mund të merret pëlqimi nga të dyja palët për këtë çështje, andaj vendimi nuk është valid.
Gjykata po ashtu ka marrë vendim që Moska të sigurojë se “çfarëdo njësie e armatosur ushtarake ose e parregullt, që mund të drejtohet ose mbështetet prej saj, si dhe çdo organizatë dhe person që mund t'i nënshtrohet kontrollit ose drejtimit të saj, nuk ndërmerr asnjë hap për të çuar përpara operacionet ushtarake të përmendura në këtë pikë”.
Të dyja vendimet janë në pritje të një vendimi përfundimtar për këtë rast.
Gjykata po ashtu ka thënë se të dyja palët “duhet të përmbahen nga çfarëdo veprimi që mund të përkeqësojë situatën para Gjykatës, apo ta bëjë më të vështirë zgjidhjen e saj”.
Kjo Gjykatë merret me kallëzime penale të dorëzuara nga shtetet rreth dyshimeve për shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Ai është institucioni më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara.
Vendimet e saj janë detyruese, mirëpo Moska është pritur që nuk do ta marrë parasysh vendimin, pasi ajo e ka bojkotuar një seancë dëgjimore për rastin në fillim të marsit, dhe ka thënë në një dosje me shkrim se Gjykata nuk ka juridiksion.
Rusia ka thënë se është duke vepruar në vetëmbrojtje.
Deputeti ukrainas: Shumica e njerëzve i kanë mbijetuar sulmit në teatrin në Mariupol
Më shumë se 1,000 gra dhe fëmijë kanë qenë duke u strehuar në teatrin e bombarduar në Mariupol, ka thënë deputeti ukrainas, Dmytro Gurin.
Teatri është sulmuar nga rusët dhe numri i viktimave nuk dihet ende.
Gurin, prindërit e të cilit janë të bllokuar në qytet, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC: Ndërtesa e teatrit është e shkatërruar, ne kemi më shumë se 1,000 gra dhe fëmijë të strehuar në bodrumin e teatrit.
“Para disa minutave ne kemi marrë informacion se njerëzit kanë mbijetuar. Ne nuk e dimë ende nëse kemi njerëz të plagosur apo të vrarë. Mirëpo duket se shumica prej tyre kanë mbijetuar”.
Zelensky flet para Parlamentit gjerman
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është duke folur përmes video-lidhjes para Parlamentit gjerman në Berlin.
Zelensky ka përsëritur thirrjet që ka bërë në Parlamentin britanik dhe Kongresin amerikan, që të bëhet më shumë për të luftuar agresionin e Rusisë.
Ai i ka kërkuar kancelarit gjerman, Olaf Scholz që të rrëzohet “muri” kundër lirisë që po ndërtohet nga Rusia në Evropë.
Zelensky ka kritikuar edhe mungesën e veprimit nga vendet e Bashkimit Evropian para pushtimit, duke thënë se sanksionet janë vënë shumë vonë.
Rreth dy milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në Poloni
Mbi 1.95 milion njerëz kanë ikur prej Ukrainës në Poloni prej shpërthimit të luftës, ka thënë Agjencia kufitare e Polonisë të enjten.
Më shumë se gjysmë milioni njerëz tashmë larguar nga Polonia drejt destinacioneve tjera, sipas hulumtuesit për migrim në Universitetin e Varshavës, Maciej Duszczyk.
Vetëm të mërkurën, 60,000 persona kanë kaluar kufirin, ka thënë Garda Kufitare.
Shumica e refugjatëve kanë shkuar në qytete të mëdha, përfshirë Varshavën, Krakovin dhe Vrocllavin, kapacitetet e të cilave janë të mbushura.