Ukraina shpreson se do të hapen korridoret humanitare nga Mariupoli
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se shpresojnë të hapin nëntë “korridore humanitare” nga disa qytete të shtetit, përfshirë ato nga qyteti i rrethuar i Mariupolit në juglindje.
Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, ka thënë se Qeveria është duke shpresuar që të hapë rrugët gjatë së enjtes.
Ajo i ka bërë këto deklarata një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat ruse kanë shënjestruar me qëllim një teatër në Mariupol, në të cilin kanë qenë duke u strehuar qindra persona.
Bombardohet një qendër edukative në Merefa
Raketat ruse kanë bombarduar një qendër edukative në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ka thënë Shërbimi Shtetëror për Emergjenca në Ukrainë.
Autoritetet kanë thënë se ndërtesa në Merefa, qytezë në rajonin Harkiv, është shkatërruar pjesërisht. Shërbimet e zjarrfikësve janë duke tentuar të shuajnë zjarrin.
Mediat lokale kanë raportuar se një shkollë dhe qendër komuniteti janë goditur.
Ende nuk ka raportime për viktima.
Hungaria pret “valë” të refugjatëve javën e ardhshme
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se ai pret që të shohë “valën më të madhe të refugjatëve” nga Ukraina, javën që vjen.
Duke folur gjatë një vizite në pikën kufitare të Hungarisë me Ukrainën dhe Rumaninë, Orban ka thënë se rojet kufitare do të pozicionohen aty javën e ardhshme për të menaxhuar fluksin në rritje të refugjatëve.
Deri më 14 mars, 263,888 ukrainas kanë kaluar kufirin në Hungari, sipas agjencive të Kombeve të Bashkuara.
Të mërkurën, një këshilltar i Orbanit ka thënë për mediat hungareze se zyrtarët presin që të pranojnë 900,000 refugjatë deri në fund të luftës.
Megjithatë, numri i refugjatëve që po arrijnë në Hungari ka rënë në krahasim me javët e kaluara.
Zhdukja e banorëve ukrainas në rajonin e kontrolluar nga Rusia
Në rajonin jugor të Ukrainës, Herson, njerëzit po zhduken. Rasti i fundit ndodhi më 16 mars, kur persona të armatosur kapën kryetarin e qytetit bregdetar Skadovsk dhe zëvendësin e tij, dhe i dërguan në një lokacion të panjohur.
Lexojeni artikullin e plotë në linkun më poshtë.