Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
08:34 17.3.2022

Edhe një zëvendësministër polak e konsideron Putinin “kriminel lufte”

Zëvendësministri i Jashtëm polak, Marcin Przydacz, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se, bombardimi i teatrit në Mariupol, është një tjetër shenjë se forcat e presidentit rus, Vladimir Putin u janë drejtuar taktikave më brutale.

Przydacz ka thënë se pajtohet me karakterizimin e presidentit amerikan, Joe Biden, se lideri rus është “kriminel lufte”.

“Sipas mendimit tim, plani fillestar ka qenë për të shkatërruar infrastrukturën ushtarake”, ka thënë Przydacz.

“Kremlini ka besuar se Qeveria e Ukrainës disi do të avullohet. Nuk ka ndodhur kështu. Ukrainasit janë shumë të guximshëm në mbrojtjen e tokës dhe vlerave të tyre, demokracisë së tyre, shtetit që e kanë ndërtuar në 30 vjetët e fundit. Tani Putin ka vendosur të godasë infrastrukturën civile”.

Ai ka thënë se ka parë një fotografi jashtë një teatri të bombarduar në Mariupol, në të cilin është thënë se ka fëmijë brenda.

“Nëse kjo nuk e ka ndalur Putinin nga bombardimet, atëherë ai është, siç e ka quajtur presidenti Biden, një kriminel lufte”.

08:17 17.3.2022

Mirëmëngjesi ju që na jeni bashkuar tani!

Zhvillimet kyçe të orëve të fundit janë këto:

  • Në qytetin e rrethuar ukrainas, Mariupol, autobusët kanë larguar rreth 300 refugjatë për në rajonin Rostov, në kufi me Rusinë, kanë raportuar mediat ruse. Të mërkurën, një raketë ruse ka goditur teatrin e këtij qyteti ku besohet se kanë qenë duke u strehuar mbi 1,000 persona, sipas zëvendëskryetarit të qytetit
  • Presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se ka shënjestruar qëllimshëm këtë teatër. Rusia ka hedhur poshtë këto deklarata
  • Në kryeqytetin ukrainas, Kiev, një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur, pasi një ndërtesë banimi është goditur nga mbetjet e një rakete të rrëzuar. Ekipet e shpëtimit janë në kërkim të personave që mund të kenë mbetur nën rrënoja
  • Në Çernihiv janë vrarë 13 persona, të cilët kanë qenë duke pritur për të marrë bukë, si pasojë e bombardimeve ruse.
  • Në frontin diplomatk, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë përshkallëzuar edhe më shumë. Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka quajtur presidentin rus, Vladimir Putin, një “kriminel lufte”.
  • Kremlini i ka konsideruar komentet e Bidenit si “retorikë të papranueshme dhe të pafalshme”.
07:56 17.3.2022

Britania: Pushtimi rus “ka ngecur në të gjitha frontet”

Ofensiva e Rusisë në Ukrainë “ka ngecur në të gjitha frontet” ka thënë Ministria e Mbrojtjes në Britani të Madhe, më 17 mars.

Në vlerësimin e saj është thënë se forcat ruse “kanë bërë përparim minimal në tokë, det apo ajër në ditët e fundit dhe se vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha”.

“Rezistenca ukrainase vazhdon të mbetet e koordinuar mirë. Pjesa më e madhe e territorit ukrainas, përfshirë qytetet e mëdha, vazhdojnë të jenë në duart e ukrainasve”.

Ushtria ukrainase ka thënë se përpjekjet e Rusisë tani janë të fokusuara në sulme ajrore, duke bombarduar zonat me popullsi civile, pasi sipas saj, ushtria ruse nuk ka qenë e suksesshme në operacionet tokësore.

Moska ka thënë se ka identifikuar 500 ushtarë rus të vdekur deri më tani.

Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 7,000 pjesëtarë të personelit rus kanë vdekur, prej nisjes së luftës.

Flamuri britanik.
Flamuri britanik.

07:40 17.3.2022

Ukraina: Rusia është fokusuar në shënjestrim të civilëve nga ajri

Bombat ruse vazhdojnë të godasin popullsinë civile në Ukrainë, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në Ukrainë.

Në një postim në Facebook, forcat e armatosura të Ukrainës kanë thënë se operacionet “e pasuksesshme” ushtarake të Rusisë në territore tokësore, nënkuptojnë se ajo është duke e fokusuar betejën në ajër – duke shënjestruar infrastrukturë dhe zona të banuara me civilë në qytetet ukrainase.

Ukraina ka pretenduar se është duke fituar betejën në ajër dhe tokë, duke thënë se ka rrëzuar 10 shënjestra ajrore të Rusisë.

Radio Evropa e Lirë nuk mund të verifikojë këto pretendime.

Në deklaratë është thënë edhe se Rusia është duke kryer sulme kibernetike, është duke shkatërruar ndërtesa të radiove dhe televizioneve, si dhe është duke përhapur dezinformata për pushtimin.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG