Japonia vëren anije luftarake ruse që mund të jenë nisur në Ukrainë
Katër anije të mëdha luftarake të Rusisë janë vërejtur duke lundruar afër ishujve japonezë, Honshu dhe Hokaido, me mundësi drejt Evropës, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.
Në pamjet e publikuara nga Ministria e Mbrojtjes në Japoni janë parë ato që janë dukur si pajisje ushtarake brenda anijeve.
I pyetur nëse ato mund të jenë nisur drejt Ukrainës, zëdhënësi i Ministrisë japoneze të Mbrojtjes, ka thënë për Reuters se “ka mundësi”.
Lufta në Ukrainë, të cilën Rusia e konsideron “operacion special ushtarak” nuk ka shkuar ashtu siç është planifikuar, pasi pajisjet ushtarake janë zbrazur më shumë sesa është pritur, sipas analistëve ushtarakë.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet të enjten
Një takim urgjent i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të zhvillohet të enjten, për të diskutuar përshkallëzimin e krizës humanitare në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria, është raportuar se kanë bërë thirrje për takim, pas rritjes së bombardimeve në zonat e civilëve në ditët e fundit.
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë vende anëtare të Këshillit, bashkë me Rusinë dhe Kinën.
Sipas OKB-së, mbi 3 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina prej shpërthimit të luftës më 24 shkurt.
Mirëmëngjesi të gjithëve!
Po e rinisim transmetimin e drejtpërdrejtë për zhvillimet më të fundit të luftës në Ukrainë.
Në orët e para të mëngjesit është raportuar për një person të vrarë dhe tre të plagosur, pasi mbetjet e një rakete të rrëzuar kanë rënë në një ndërtesë banimi në Kiev, ka thënë Shërbimi për Emergjenca në Ukrainë.
Njerëzit janë evakuuar nga kati i 11-të e më lart, si dhe operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar për të gjetur ata që kanë mbetur nën rrënoja.
Lexues të nderuar, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejt të ngjarjeve në Ukrainë. Do të rikthehemi nga ora 07:00.
Ndërkaq, më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të ngjarjeve kryesore që ndodhën sot:
- Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e quajti “kriminel lufte” presidentin rus, Vladimir Putin
- Rusia dënoi këto deklarata të Bidenit duke i quajtur “të papranueshme dhe retorikë të pafalshme”.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, iu drejtua Kongresit amerikan dhe bëri thirrje për më shumë ndihmë nga Perëndimi
- SHBA-ja tha se do t’i japë Ukrainës 1 miliard dollarë ndihmë ushtarake, përfshirë: dronë, raketa, raketahedhës, pushkë, mitraloza, sisteme kundërajrore dhe municion
- Në Mariupol, Teatri i Dramës u godit nga sulmet ajrore. Autoritetet lokale thanë se ndërtesa e teatrit përdorej nga civilët për t’u strehuar. Ata thanë se besojnë se 1,200 civilë ishin në ndërtesë kur ajo u godit nga një bombë, e lëshuar nga një avion rus
- Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, e quajti “krim lufte” sulmin ndaj teatrit në Mariupol. Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur për viktima të mundshme nga ky sulm
- Në qytetin Çernihiv, dhjetë persona u vranë teksa po prisnin në radhë për bukë, kur trupat ruse granatuan
- Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – autoriteti më i lartë i drejtësisë i Kombeve të Bashkuara – urdhëroi Rusinë që ta ndalë pushtimin e Ukrainës